Arena - Pollo: Rama e Meta nuk janë marrë vesh as për Presidentin
20/04/2017 - 21:21

Mbrëmë në emisionin “Arena” nga Dritan Hila në Ora News, është diskutuar mbi situatën politike në vend e cila mbetet shumë e tensionuar, në focus të bisedës ka qenë dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës.

Për deputetin e Partisë Demokratike Genc Pollo prioritet i opozitës janë zgjedhjet e lira dhe qeveria teknike. Sipas tij nëse nuk kemi ende një kandidat për President është sepse vet Rama dhe Meta nuk kanë rënë dakort.

Pollo: Jemi prej dy muaj në rrugë se jemi te bindur se zgjedhjet parlamentare jane te rrezikuara nga situata që është krijuar këto katër vitet e fundit dhe me drogën dy vitet e fundit. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk janë marrë dot vesh as për Presidentin. Këto vitet e fundit është bërë zakon që fajin për problemet e vendit janë të opozitës. Ata i kanë votat. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk janë marrë vesh për një emër konkret deri më sot.

Duke parë situatën në të cilën ndodhemi për Genc Pollo rrezikohen edhe konflikte sociale. 

Hila: Mund të jetë frika e konflikteve sociale?

Pollo: Të mundshme, probabël në këtë situatë.

Por, për deputeten socialiste Arta Dade ka ardhur momenti që palët të dialogojnë për zgjidhjen e krizës.

Duke e cilësuar si të suksesshëm koalicionin me LSI, Dade beson se dhe në këto zgjedhje ato do të jenë bashkë. E nëse do të jetë ndër emrat kandidat znj. Dade ka theksuar edhe një herë që nuk do t’i thotë jo detyrës së Kryetarit të Shtetit. 

Dade: Do të isha e nderuar për këtë post. Nëse do të isha personi që garantoja konsensusin, do të kisha kënaqësinë, privilegjin, normale edhe nderin për ta kryer këtë detyrë. Kjo mbetet për t’u vendosur nga kolegët e grupit. Meta dhe Rama pavarësisht se janë liderët e dy forcave politike, kanë nga një votë në Parlament. Madje, do të isha e lumtur që të kisha edhe “OK-n” nga ana e opozitës.

Dade tha se Presidenti duhet të zgjidhet me konsesus. 

Dade: Fakti që kërkohet zgjedhja me konsensus, besoj kjo është e udhës. Mazhoranca i ka 90 vota. Ne kemi kaluar ligje me 89 vota. Sigurisht që në këtë rast janë Blushi dhe Hafizi, që për ligje të rëndësishme kanë votuar si ne. Unë kam qenë në listën e një grupi deputetësh që Presidenti të zgjidhej nga populli, jo për më shumë kompetenca, por për më shumë legjitimitet.

Kushtetuta e ka lënë të hapur që Presidenti të zgjidhet me konsensus. Do të kisha parapëlqyer që Presidenti të zgjidhej me shumicë të cilësuar në një diapazon më të gjerë se një parti që e propozon. Të shpresojmë që e marta të na sjellë një lajm të mirë.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close