Tiranë - Investimet në periferi, Veliaj: Ndërhyrje në 80 rrugë të tjera gjatë verës
07/07/2017 - 14:17 Nga: Besmira Pelushaj

Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e lotit të dytë të rrugës “Hermann Gmeiner”, që ndodhet në pjesën lindore të kryeqytetit.

Në përurimin e segmentit, kryetari i bashkisë Erion Veliaj, tha se këtë verë janë parashikuar të ndërtohen rreth mbi 80 rrugë në zonën e Tiranës periurbane.

Veliaj: “Duke qenë se qeveria ka ecur shpejt me procesin e legalizimit, tani Bashkia ka radhën me procesin e urbanizimit. Kjo është e vetmja mënyrë se si ecim përpara. Kemi përgatitur gjatë gjithë kësaj vere ndërhyrje në mbi 80 rrugë në të gjithë zonën e Tiranës periurbane, pra jashtë zonës së qendrës, dhe besoj se në shtator, kur shumë qytetarë të kthehen nga pushimet, do të gjejnë një situatë krejt tjetër”.

Duke theksuar se investimet e Bashkisë kanë dhënë një impakt pozitiv në rritjen e vlerës së pronës, kreu i Bashkisë u bëri thirrje banorëve që të ruajnë ambientet e përbashkëta.

Veliaj: “Dua t’u kërkoj të gjithë banorëve t’i mirëmbajnë, është shumë e rëndësishme që nga ky moment, secili të tregojë kujdes për mënyrën se si mirëmbahet ky territor. Ne duam që kjo të ketë një jetëgjatësi sa më të lartë, kësisoj edhe banesat përreth të kenë një vlerë sa më të lartë në treg, sepse vetëm kështu mundet që gjithë qyteti të ruajë një pamje dinjitoze, por sigurisht që edhe investimet të kenë duk dhe të mund të vijojmë me një lagje tjetër”.

Veç investimit në infrastrukturë, Bashkia është fokusuar edhe në monitorimin e situatës me ujin e pijshëm në periferi.

Gjatë aksionit të task-forcës, janë verifikuar 602 raste, duke ndërprerë 74 lidhje të paligjshme të ujit të pijshëm, si edhe janë gjobitur 16 subjekte.

Fokusi i aksionit ishin linjat e transmetimit në zonën e Yzberishtit, Babrrusë, rr. “Dhimitër Kamarda”, “Qyteti Studentit”, etj.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Lista Serbe pret nga partitë shqiptare t’i bëjnë 51 vota për të siguruar votën e tyre

Close