Sezoni turistik - Parku i Butrintit, ankohen turistët grekë: Çmimet e biletave të larta
07/07/2017 - 16:50 Nga: Geraldi Bregu

Çmimi dyfish me i lartë se për vendasit në parkun antik të Butrintit ka zbrapsur turistët e huaj të cilët thonë se edhe janë sorrollatur nga punonjësit, që u kanë thënë vlera të ndryshme. Një grup turistësh grekë shprehen të revoltuar ndërsa drejtori i Parkut të Butrintit, Gjergji Mano, sqaron se problemi qëndron, por çmimi i biletave është vendosur që në vitin 2012 me vendim të Ministrit të Kulturës.

Çmimet për të vizituar parkun antik të Butrintit kanë shqetësuar vizitorët e huaj të cilët thonë se duhet të paguajnë 700 lekë,  dyfish në krahasim me vendasit.

Por, përveç kësaj, një grup turistësh grekë ankohen për praktika të dyshimta ndërsa kërkojnë të hyjnë në park.

Turisti grek: Jemi një grup nga Athina dhe kemi bërë 11 ditë udhëtim nga Kroacia, Mali i Zi deri këtu në Shqipëri ku kemi qëndruar 4 netë në Krujë Tiranë, Fier dhe Gjirokastër kemi kaluar shumë mirë, shohim që Shqipëria ka ndryshuar dhe zhvilluar dhe kjo gjë na gëzon. Kemi ardh në Butrint për ta vizituar dhe punonjësi na thotë që duhen 300 lekë të reja për person, ne nuk kemi lekë kemi euro dhe më shkruan 5.5 euro në ndërrim të 300 lekëve i them që kjo nuk është e rregullt dhe më thotë po të doni futuni në mos dilni jashtë dhe jemi të mërzitur ditën e fundit këtu dhe të gjithë njerëzit janë moshë e tretë që rrinë në vapë.

Turistja greke: Unë pagova 4 euro, më thanë 5 euro në fillim pastaj 4 euro. Na thanë në fillim të tjera e të tjera na morën, na tha ai biletave që kushton 300 lekë ne i thamë në euro. Na tha fillimisht 5 euro dhe pastaj e uli në 4 euro.

Shoqëruesja e grupit, Gjena Petro, konfirmon problemet me çmimet.

Petro: Nëqoftëse vendi ynë do që të tërheqë turista nuk duhet të bëjë këto gjëra, dallimë të tilla në lekë, çmimi këtu duhet të jetë standart, grupi erdhi dhe tani na tallin dhe grupi po rrinë ca jashtë ca brenda, më erdhi shumë keq që këto gjera i pashë këtu, unë jam me grupin kam bredhur gjithë Ballkanin dhe këtë gjëndje që pashë këtu më vjen keq.

Drejtori i parkut antik të Butrintit, Gjegji Mano, thotë se është informuar për problemin nga punonjësit.

Mano: Unë mendoj se sqarimi i është bërë shtetasve të huaj të cilët disa prej tyre vendosën të mos ta vizitojnë parkun nisur nga çmimi i biletës. Ky është një problem i vjetër të cilin e kemi raportuar edhe në Ministrinë e Kulturës, dhe është ngritur një grup punë i cili po merr në shqyrtimin jo vetëm biletën në parkun e Butrintit por edhe në sitet e tjera në Republikën e Shqipërisë.

Parku antik i Butrintit vizitohet nga rreth 160 mijë turistë çdo vit dhe ky numër vjen duke u rritur.

Biletat elektronike në Butrint janë inaguruar në 12 korrik 2012 nga ish-Ambasadori amerikan Arvizu ndërsa vlera e tyre u miratua nga Ministri i Kulturës së kohës, Ferdinand Xhaferri. 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Shtëpia parajsore!

Close