“Panorama Ekonomike Globale" - Parashikimi i FMN për 2017, rritja ekonomike për Shqipërinë 3.7%
19/04/2017 - 8:18 Nga: Pranvera Bozhiqi

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin më të fundit “Panorama Ekonomike Globale, prill 2017”, parashikon rritje ekonomike në 3.7% për Shqipërinë dhe sipas në 2018 pritet 4.1%. Rritje ekonomike pritet edhe për Kosovën në 3.5%, ndërsa rimëkëmbje të ngadaltë parashikon FMN për Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Defiçiti tregtar vijon të mbetet më i larti në rajon.

Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2017 do të jetë 3.7% dhe ky parashikim më i fundit vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e tij “Panorama Ekonomike Globale, prill 2017”.

FMN thotë se rritja ekonomike në Shqipëri do ti kalojë 4.1%, për vitin 2018 deri në 2022. 

Dhe po ashtu sipas FMN, Shqipëria do të ketë rritjen më të lartë në rajon, me përjashtim të Rumanisë, që parashikohet 4.2%.

Ndërsa rritje ekonomike pritet nga FMN edhe për Republikën e Kosovës, me 3.5%.

Bosnja do të rritet me 3%, Bullgaria dhe Kroacia me 2.9, Kosova 3.5, Maqedonia 3.2, Mali i Zi 3.3%.

Nga i gjithë rajoni pritet një rritje e ngadaltë, teksa pritshmërinë e FMN-së nuk i kalojnë 3-4% deri në vitin 2022.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit për Shqipërinë pritet të luhatet midis 2-3% në periudhën afatmesme. 

Defiçiti i llogarisë rrjedhëse, në rreth 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto mbetet më i larti në rajon, me përjashtim të Malit të Zi, që e ka 22.5%.

Vetëm në vitin 2022, ky tregues pritet të ulet në 9.5% të PBB-së në Shqipëri.

“Pas një rimëkëmbjeje të dobët nga kriza financiare globale dhe pas rregullimit të mprehtë të çmimeve të mallrave globale, shumë ekonomi po përpiqen të rrisin potencialin e rritjes, gjithëpërfshirjen dhe qëndrueshmërinë.

Veprimet për të nxitur potencialin e prodhimit janë me të vërtetë urgjente duke pasur parasysh lëvizjet e vazhdueshme të popullsisë, duke filluar nga plakja e popullsisë në ekonomitë e përparuara, rregullimi i vazhdueshëm ndaj kushteve të tregtisë dhe nevoja për të adresuar dobësitë financiare në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, si dhe rritjen e ngadaltë të produktivitetit si në ekonomitë e zhvilluara ashtu dhe në zhvillim”, thotë FMN.

Fondi, në “Panoramën Ekonomike Globale” ka rritur parashikimin për zgjerimin global 2017 në 3.5%, nga 3.4% që ishte parashikimi i mëparshëm.

Për vitin 2018, pritja mbetet e qëndrueshme në 3.6%.

Ky zgjerim i ekonomisë globale në 2017 dhe 2018 është i mbështetur gjerësisht nga shumë faktorë, megjithëse mbetet e brishtë në shumë shtete të zhvilluara.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Vajza shkon në shkollë me protezë në këmbë, shokët e presin të lumtur

Close