Protesta e PD - Oferta e papritur e Bashës: Të zgjedhim presidentin nga populli
21/04/2017 - 12:25

Kryetari i PD-së Lulzim Basha bën një ofertë të papritur: “Të ndryshojmë kushtetutën. Presidenti ta zgjedhë populli shqiptar.”

Basha: Na kanë ftuar këtë javës për punën e Presidentit. Ne i kemi votat, po hajde ta bëjmë me konsensus. Ne i kemi paret, po hajde ta blejmë bashkë. Do blejmë ndonjë viç në treg? I kujt është Presidenti? Është i Ilir Metës? I Lul Bashës? I kujt është? Atëherë oferta ime është kjo; të zgjedhim President nga populli. Hap i rëndësishëm në projektin e Republikës së re është transferimi i pushtetit tek qytetarët.

Natyrisht, fokusi ynë është beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme si hapi më i rëndësishëm për Republikën e re.

Meqë çështja e Presidentit po shtohet në tavolinë, meqë po kërkoni kontributin tonë, për të demonstruar seriozitetin dhe vendosmërinë tonë për Republikën e re ju japim një dhe vetëm një ofertë për çështjen e Presidentit të Republikës; të ndryshojmë Kushtetutën, ta zgjedhë populli shqiptar.

Basha tha se nuk do të ketë zgjedhje më 18 qershor dhe se Shqipëria evropiane nuk mund të jetë në dorën e një kaste të korruptuar që e ka kthyer vendin në lopën e vet siç tha ai.

Basha: Zgjedhje më 18 qershor nuk ka dhe ka për të patur. Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk ka për të patur. Çdo përpjekje për dialog duhet të ketë parasysh se mbi standarde. Nuk ka asnjë tërheqje. Rruga për një pakt kombëtar për një Shqipëri evropiane mbetet e hapur edhe për partitë e Republikës së vjetër. Sepse kultura jonë, vlerat tona janë ato evropiane për dialogun dhe vendosmëria jonë është për të mos dorëzuar më kurrë vlerat evropiane tek krimi, te droga dhe te një kastë e korruptuar që e ka kthyer Shqipërinë në lopën e vet. Kjo ofertë nuk duhet kuptohet si dobësi por si zemërgjerësi. Dy janë rrugët; përmes dialogut ta zgjidhim ose për ndryshe populli do ta marrë në dorë.

Basha deklaroi se asnjë afat kushtetues nuk mund të ngrihet mbi të drejtën natyrore të shqiptarëve për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha: Ata do të përdorin çdo lloj makinacioni për të ndalur dhe kompromentuar këtë lëvizje, për të kthyer avazin e vjetër të republikës së vjetër. Sot dua t’ju them fare qartë kundërshtarëve tanë politikë; ta heqin nga mendja se kanë një rrugë tjetër vetëm se sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Dhe garantimi do të kryhet vetëm me qeveri teknike, e cila do të ketë në thelb të mandatit të saj dekriminalizimin e shtetit, luftën kundër drogës dhe paketën e zgjedhjeve të lira përfshirë votimin dhe numërimin elektronik. Standardet janë të panegociueshme. Asnjë afat kohor apo kushtetuese apo pseudokushtetues nuk mund të ngrihet mbi të drejtën natyrale të shqiptarëve për zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close