Komisioni ad-hoc - Tabaku “shtyn” vettingun, do mblidhet Kuvendi për ta zëvendësuar
15/06/2017 - 11:51

Zgjedhja e anëtarëve të vettingut është shtyrë sërish. Komisioni parlamentar ad-hoc me 12 anëtarë për të zgjedhur përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur trë Kualifikimit dhe Komisionerët Publikë nuk arriti të kryejë votimin e këtyre anëtarëve.

Shkak për këtë është bërë mungesa e deputetes demokrate, Jorida Tabaku, e cila një ditë më parë u bë nënë e dy vajzave binjake.

Komisioni ad-hoc nuk ka asnjë mekanizëm për ta zëvendësuar deputeten Tabaku dhe për këtë duhet të mblidhet edhe njëherë seanca plenare.

Anëtarët e komisionit parlamentar nuk kanë vendosur ende një datë për mbledhjen e parlamentit që do të kryhet enkas për të zëvendësuar deputeten Jorida Tabaku.

Pandeli Majko: Për arsye objektive dhe kur them për arsye objektive dëshiroj ti uroj koleges Jorida Tabaku për dy vajzat që sapo ka lindur. Mendoj se kjo është arsye më objektive sesa objektivja dhe më njerëzore sesa njerëzorja. Jemi në kushtet kur nuk mund të kryejnë sot votimin që na kërkon ligji. Dhe duhet të ecim me procedurat përkatëse sipas ligjit për të bërë zëvendësimin e  zonjës Tabaku me një koleg tjetër, sigurisht me vendimin e parlamentit, gjë që na sjell natyrshëm sipas ligjit të thërrasim mbledhjen e Kuvendit. Do fillojmë procedurat bashkë me sekretariatin teknik të komisionit, ne jemi për sa më shpejt por sigurisht nuk vëmë në dyshim vullnetin e kolegëve as të LSI-së dhe as të PDIU-së.

Pas kryerjes së këtij zëvendësimi, komisioni ad-hoc do të mblidhet sërish për të zgjedhur 12 anëtarë të Komisionit të Kualifikimit sëbashku me dy zëvendësuesit si dhe dy Komisionerët Publikë +2 zëvendësuesit.

Pas kryerjes së kësaj proçedure, brenda 10 ditëve Parlamenti do të mblidhet sërish në një seancë plebnare për të votuar listat me 27 anëtarë për organet e vettingut.

Ky komision parlamentar ka afat deri në datën 24 qershor, datë në të cilën duhet të kenë votuar të gjithë emrat për organet e vettingut.

 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Bota arabe kushtëzon Katarin

Close