Vendimi - Minimumi jetik, Qeveria hedh poshtë nismën e Blushit dhe Hafizit
20/03/2017 - 14:19 Nga: Manjola Hasa

Qeveria rrëzon nismën e deputetëve të LIBRA-s Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi me njohjen e minimumiy jetik në masën 17 mijë lekë më argumentin se ka kosto në buxhet dhe nuk janë kryer konsultimet me grupet e interesit. Deputetët Blushi dhe Hafizi e konsideruan këtë argument si jo serioz, që lë në varfëri ekstreme 400 mijë shqiptarë.

Ministria e Financave rrëzon nismën e deputetëve të LIBRA-s Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi për llogaritjen dhe njohjen e minimumit jetik në masën 17.000 lekë në muaj.

Ministria e Financave argumenton se projektligji ka kosto në buxhetin e shtetit dhe nuk janë kryer konsulta në institucione dhe grupet e interesit. 

Në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale, deputeti Ben Blushi tha se me këtë vendim qeveria lë në varfëri ekstreme 400 mijë shqiptarët.

Klodjana Spahiu: Përgjigjia e Ministrisë së Financave është kjo: Në gjykimin tonë miratimi i këtij projektligji do të shoqërohet me një kosto shtesë të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.

Ben Blushi: Nuk besoj që është serioze që Komisioni të pranojë një përgjigje si kjo. 400 mijë shqiptarë automatikisht nëse ky projektligj do të miratohej do të shpëtonin nga mjerimi dhe fukarallëku i ditës.

Jashtë dyerve të Komisionit, deputetja tjetër e LIBRA-s Mimoza Hafizi tha se qëndrimi i qeverisë ndaj draftit është jo serioz.

Hafizi: Ne do të shkojmë ta bëjmë çështjen edhe në Komisionin e Ekonomisë pastaj do të shohim sesi do të votohet. Shpresoj që vota qoftë e mazorancës, qoftë e opozitës të jetë transparente para shqiptarëve.

Deputetët e LIBRA-s mendojnë se është detyrim ligjor llogaritja dhe shpallja e minimunit jetik që do të çonte drejt ndryshimit të politikave sociale për të qenë më pranë të varfërve.

Ky hap sipas deputetëve është marrë në vendet e rajonit dhe në ato europiane, ndërsa në vendin tonë ka patur vetëm një studim të Avokatit të Popullit Igli Totozani që minimumi jetik të jetë 1600 lekë për person në ditë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Shtëpia parajsore!

Close