Deklarata - Meta President me 24 korrik, Rama tregon nëse do jetë në seancën e betimit
06/07/2017 - 21:53

Kryeministri Edi Rama i ka dhënë fund spekulimeve lidhur me mundësinë e një bojkoti të seancës së betimit të Presidentit të ri Meta nga ana e socialistëve.

I ftuar në “ Top Story” ai uroi ish-aleatin në qeverisje që të gjejë dashurinë dhe qetësinë e humbur.

Rama: “Ne e votuam atë si President dhe nuk ka arsye që unë të mos jem aty. Do të jemi të gjithë pasi ne kemi respekt për institucionin e Presidentit. Të tjerat që nuk do të jemi dhe nuk do të bëjmë folklore. Presidenti është konsensual. Shpresoj që ai ta gjejë sërish dashurinë dhe qetësinë”.

Ai tha se në shtator do të kemi qeverinë e re. Duke analizuar periudhën e tranzicionit të pushtetit, Rama e krahasoi LSI-në me “çakejtë” që në këto momente të fundit po marrin ç’u ka mbetur për të marrë.

Balla: Thatë që po mendoni nëse do të ketë ndarje mes mandatit të deputetit dhe pozicionit në ministrit. Çfarë do të ndodhë me kabinetin qeveritar? A do të ketë ministra që do të mbajnë pozicionet e tyre? Cili është kriteri? A do të ketë ndryshime në qeveri?

Rama: Ne do të kemi një qeveri të re në shtator dhe ajo që thashë vlen më shumë sesa emrat, për të cilët nuk kam menduar pasi besoj shumë tek mënyra sesi ndërtohet një sistem, jo emrat. Jemi në një fazë tranzicioni të panatyrshme, ndërkohë që janë disa sfida të rëndësishme, si ajo e rishikimit të buxhetit, edhe për shkak të thatësirës, po ashtu sfida e moslejimit të turrjes së çakejve të mbetur në zyrat e shtetit që e përjetojnë këtë fazë si mënyra e fundit për të marrë gjithçka nga një hambar pa roje.

Balla: E thatë edhe vetë që është një tranzicion i pashembullt. Keni ministra të LSI-së, keni edhe ministra teknikë që thatë se do i shkarkoni më 26 qershor.

Rama: Nuk thashë që do t’i shkarkoj, por që do të largohen. Roli i tyre ishte një rol i nevojshëm, por edhe për të lehtësuar në kushte të vështira dhe për shkak të një tradite të vështirë barrën e presionit dhe të paranojës që ka çdo opozitë kur hyn në zgjedhje në Shqipëri. Ata e luajtën rolin e tyre, misioni i tyre ka përfunduar dhe jemi në një situatë paradoksale që shpresoj që të zgjidhet një orë e më parë. 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
U kapën me 200 mijë paund kokainë, 20 vjet burg për tre shqiptarë

Close