Analiza e Krasniqit - ‘Marrëveshja Rama-Basha s’ka rënë, deklaratat ‘ushqim’ për militantët’
13/09/2017 - 22:09

Qeveria e re e kryeministrit Edi Rama nisi sot zyrtarisht detyrën.

Analisti, Afrim Krasniqi, risi në kabinetin ‘Rama II’ sheh vetëm faktin se PS ka e vetme qeverinë. Element që sipas tij ka kushtëzuar përbërjen e qeverisë dhe prioritetet e saj.

Krasniqi: Eshtë mandati i dytë si kryeministër, ndërsa është mandati i parë i PS si parti e vetme në qeveri dhe kjo përbën një risi.

Hera e fundit kur një parti ka fituar e vetme ka qenë viti ’97.

Është një përgjegjësi krejt ndryshe dhe realitet tjetër politik. Kjo ka kushtëzuar dhe përbërjen e qeverisë dhe prioritetet e saj.

Në dallim nga qeveria e vitit 2013, qeveria aktuale nuk ka personalitete të mëdha publike, ose emra të mëdhenj të cilët kanë përkrahje publike ose kontribute elektorale. Ka më shumë individë të cilët janë luajalë ndaj idesë dhe vizionit të Kryeministrit për të drejtuar partinë dhe pastaj dhe Shqipërinë.

Nëse shohim programin elektoral dhe atë qeverisës ka diferencë. Programi elektoral kishte premtime populiste, ai qeverisës është një lloj programi pragmatist që bashkon të majtën dhe të djathtën. Merr ide nga të gjitha krahët dhe mundohet të operojë me elementët që mund të operojë një qeveri në Shqipëri, ku të ardhurat dhe kapacitetet financiare te qeverisë  për të bërë vepra të mëdha publike janë jashtëzakonisht të kufizuara. Ku shanset për të bërë reforma në një mandat të dytë qeverisës janë përsëri të kufizuara dhe ku pritshmëritë publike janë shumë më të mëdha sesa aftësia ose mundësia e qeverisë për tu zgjidhur problemet e qytetarëve.

Në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Krasniqi thotë se  njësimi i mazhorancës me qeverinë bën të pamundur kontrollin dhe llogaridhënien e  Kryeministrit.

Krasniqi: Me ndryshimet e reja kushtetuese të gjitha pushtetet shkojnë tek një individ dhe për shkak se partia nuk ka fuqi kontrolluese, grupi parlamentar nuk ka fuqi kontrolluese mbi ekzekutivin dhe mazhoranca është e njësuar me qeverinë, nuk ekzistojnë mekanizma që kontrollojnë Kryeministrin dhe për pasojë nuk ekzistojnë mekanizma që t’i kërkojnë llogari Kryeministrit.

Krasniqi: Eshte e vështirë në mandatin e dytë të bësh reforma 

“Është shumë e vështirë në mandatin e dytë të bësh reforma. Zakonisht çdo maxhorancë në Shqipëri e Europë mandatin e parë ka bërë reforma. Mandati i dytë është administrimi i reformave të nisura. Nëse ne shohim programin e qeverisë, shumica e kapitujve nisin bazuar në atë çfarë kemi arritur, duam të realizojmë në vitin e parë, dytë apo të tretë qeverisës. Pra nuk ka risi në atë që quhet reformim tërësor institucional”

   Nëse ne i referohemi marrëveshjes së 17-18 majit me opozitën, ku është premtuar reformë kushtetuese, reformë zgjedhore dhe reformë e re në atë që quhet kundër krimit të organizuar dhe kundër kanabisit, dhe korrupsionit, këto  elementë nuk i gjejmë në dokumentin zyrtar të programit. I vetmi element nga këto premtime është ai që në 2021 shqiptarët që banojnë jashtë kufijve shqiptarë dhe janë shtetas të Shqipërisë mund të kenë rastin për të votuar. Por dhe kjo ndodh nëse do të ketë një kompromis me opozitën.

Përkundër deklaratës së Bashës në Kuvend për marrëveshjen e 18 majit me Ramën, Krasniqi vlerëson se marrëveshja ekziston dhe madje shumë e fortë.

Krasniqi: Marrëveshja nuk është bërë publike në detajet e veta. Kryetarët e partive i fshehin publikut esencën reale që fshihet pas atyre përcaktimeve në pikat e përgjithshme.

Të dy liderët politikë në parlament, njëri duke thënë që marrëveshja ka rënë dhe tjetri duke thënë se marrëveshja ekziston, komunikuan jo në mënyrë të sinqertë ndaj njëri-tjetrit. Ata komunikuan me militantët e tyre, nxitësit dhe përkrahësit e partive politike duke u dhënë atë ushqim që ata militantë presin nga lideri politik.

Mendoj se marrëveshja ekziston dhe është shumë e fortë. Kemi komisionet e vettingut të zgjedhura nga grupi ad-hoc në parlament dhe është zgjedhur në mënyrë konsensuale.

Ose disa vendimarrje kundër partive të vogla politike për reformimin e sistemit ku është rënë dakord në financim dhe elementë të tjerë ku praktikisht ka një kompromis të dy palëve kundër palëve të tjera politike.

Edhe në reformën e re zgjedhore ka disa elementë ku palët bashkohen, psh dy partitë e mëdha  bashkohen në votimin e emigratëve, reformimin e sistemit zgjedhor dhe rritjen e pragut elektoral kundër partive të vogla, gjë që praktikisht nuk është thjesht kundër partive të vogla por kundër partive që mund të krijohen në vitet e ardhshme. Pra eshtë një kompromis për të dominuar jetën politike.

Votimi i Ruçit

Sa i takon kontestimit të Ruçit si kryetar i Kuvendit nga PD, Krasniqi ka këtë koment:

Krasniqi: Është një akt politik më shumë sesa një akt përmbajtësor dhe moral. Partitë gjejnë pikën e dobët të kundërshtarit dhe e etiketojnë. Kjo ishte një nga pikat e dobëta të mazhorancës.

Në premtimin e madh të PS-së për të reformuar jetën politike zgjedhja në momentin e fundit ishte rikthim pas në vite. Sjellja e një figure që është e njohur për unitetin e PS jo për reformim dhe jo risi në politikë.

Opozita është pakicë dhe nuk mund të ndryshojë gjërat, por duhet të ofrojë vlera konkuruese dhe kjo nuk ka ndodhur.

Siç nuk është normale që një figurë që ka qenë anëtar i Komitetit Qëndror ose kandidat i Komitetit Qëndror të jetë në politikë pas 27 vitesh, aq nuk është normale që dy ish-Ministra të kabinetit të zotit. Ruçi në vitin 1991 harrohen nga opozita që kanë qenë Ministra dhe deputetë me opozitën deri në mandatin e kaluar. Një opozitë serioze sillet me vlera morale dhe distancohet me akte konkrete dhe jo me luftë frontale ndaj individit. 

“Nga ana tjetër duhet të përdorë atë që quhet votë parlamentare jo thjesht për diskutime për të mbushur minutazhin, por për të bërë instrumenta të tjerë.

 Imagjinoni një opozitë që propozon 100 ose 80 nisma ligjore. Kjo do i jepte asaj rol kryesor dhe drejtues në parlament. Nëse nuk e bën këtë gjë çdo fjalim shumëzohet me zero dhe nuk ka vlerë publike.”

Paradoksi i opozites 

Krasniqi:  “Gjatë verës patëm një paradoks  që vazhdon me opozitën.Nëse maxhoranca  fitoi zgjedhjet dhe bëri dy muaj fushatë dhe analizë në të gjitha rethet pse kemi fituar kaq dhe si mund të fitonim më shumë, opozita që humbi zgjedhjet nuk ka bërë ende analizë apo krijuar një strukturë testimi lokal për të parë ku ka shkuar mirë dhe ku ka shkuar gabim dhe është e vetëkënaqur me rezultatin humës.

Ky është paradoks i madh opozitës. Kjo tregon mungesën e një strategjie afatgjatë qeverisës. Ndërsa për maxhorancën fokusimi i opozitës në një post ndihmon qeverinë sepse qeveria ngelet prioritet i dytë për opozitën.” 

Testi real i opozitës nuk ka nisur ende dhe grupi i ri parlamentar nuk është përballur ende me testin real të një force solide institucionale që jo vetëm kritikon maxhorancën por ofron dhe një model qeverisjeje të ndryshme.”

PD e LSI te destinuara te shkojne drejt bashkepunimit

Krasniqi:  “Të dy palët janë të destinuara të shkojnë drejt një bashkëpunimi. Debati i vetëm, është nëse ky bashkëpunim do të shkojë në koalicion në zgjedhjet lokale të 2019 apo do të jetë një lloj bashkëpunimi të tilla kalimtare derisa të vijë një vendimmarrje e madhe politike.

LSI është shumë më tepër e interesuar sesa PD. Sepse LSI maksimalizon votat. LSI është nga ato parti që merr vota aq sa anëtar ka. Duke zgjeruar bashkëpunimin me PD-në përfiton shumë nga njerëz të zhgënjyer me PD-në siç ka ndodhur në të kaluarë.

Kurse nëse PD dëshiron që në të ardhmen të reformohet dhe të shndërrohet në forcë konkuruese ndaj PS-së do të jetë e detyruar të refuzojë çdo koalicion dhe të shikojë veten në pasqyrë.

Nëse nuk është e aftë ta bëjë këtë gjë atëherë do të jetë e detyruar të shkojë në prehrin e LSI-së. Koha ka treguar se sa herë e djathta ka shkuar tek një partner i majtë, e djathta ka humbur në Shqipëri.”

Kush eshte kundershtari kryesor i Rames? Krasniqi thote se nuk eshte opozita

Krasniqi:  “Për shkak të numrave, kundërshtari kryesor i Ramës nuk është opozita, për shkak të cilësisë së përfaqësimit dhe krizës që ajo. Kundërshtari kryesor i zotit Rama është arroganca si model qeverisës, dhe mungesa e transparencës në atë që quhet politika publike, vendimarrje dhe në atë që quhen asete të mëdha në Shqipëri.

Fakti që në 4 vite nuk kemi pasur një rast të distancimit publik nga një zyrtar i korruptuar, madje zyrtarët më të mëdhenj të korruptuar janë mbrojtur më shumë ështënjë paralajmërim që kjo maxhorancë po rrezikohet dita ditës, ka të njëjtat rreziqe siç ka pasur çdo maxhorancë mandatin e dytë: korrupsioni dhe paaftësia për tu reformuar

Testi dy vjecar i Metes

Krasniqi: Mendoj se do të jetë një periudhë testi. Nëse pas zgjedhjeve të vitit 2019 LSI merr goditje elektorale ose nuk arrin të administrojë atë përkrahje elektorale që ka, me siguri presidenti mund të rishikojë pozicionin e tij në raport me të ardhmen.

Është një test 2 vjeçar dhe  Shqipëria ka nevojë për një qetësi 2 vjeçare në mënyrë që politikanët të merren me reformat dhe jo me njëri tjetrin.

Por dilema që ka LSI është dilemë lidershipi, jo thjesht për kryetar por dhe për figurat   politike, sepse është një parti që ka shumë pak figura politike dhe shumë pak njerëz që prodhojnë politikë.  

Ndërkohë që duke përfituar nga dobësia e opozitës LSI duhet të ishte një forcë shumë më atraktive por deri tani nuk ka arritur ta bëjë. Mënyra si po e bën, një  ndarje të thellë me ish aleatin e deri pak ditëve, nuk është shumë atraktive për votuesin dhe ata që janë të pavendosur.

 /Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Trafikantët e drogës-policit: Ju tregoj unë çfarë të bëni tani

Close