Bashkëpunimi - Dy opozitat arrijnë marrëveshje, PD i jep LSI Komisionin e Shëndetësisë
13/09/2017 - 9:06 Nga: Sonil Frashëri

Partia Demokratike i jep Lëvizjes Socialiste për Integrim një nga tre komisionet parlamentare. Ora News ka mësuar se pas miratimit të programit qeverisës Rama 2 ka pasur negociata midis PD dhe LSI në përfundim të të cilave është rënë dakord që LSI të drejtojë komisionin e Shëndetësisë në krye të të cilit do të jetë Petrit Vasili. Ndërkohë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka thirrur sot në orën 18:00 kryetarët e grupeve parlamentare për të caktuar seancën e radhës. Nga ana tjetër, në orën 17:00 në mjediset e Presidencës do të bëhet betimi i kabinetit të ri qeveritar, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë mëngjesin e sotëm.

Partia Demokratike do të drejtojë 2 nga 3 komisionet paralamentare që i takojnë opozitës, duke i lënë Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryesimin e Komisionit të Shëndetësisë.  

Marrëveshja është arritur mbrëmjen e 12 shtatorit, gjatë diskutimeve maratonë për programin e qeverisë, ndërsa Petrit Vasili është propozuar si kryetar i komisionit paralmentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë.

Më parë selia blu kishte propozuar në krye të këtij komisioni deputetin Bardh Spahia.

Vasili njëkohësisht drejton dhe grupin parlamnatrë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

Ndërkohë Partia Demokratike ka propozuar për kryetar të komisionit të Medias Albana Vokshin dhe Genc Pollon si kryetar të komisionit të Integrimit.

Marrëveshja për ndarjen e komisioneve është sinjali i parë politik për një bashkëpunim të mundshëm në opozitë mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndonëse zërat brenda Partisë Demokratike janë shprehur kundër një koalicioni të mundshëm që mund të shtrihet edhe në procese zgjedhore. 

Ndërkohë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka thirrur sot në orën 18:00 krerët e grupeve parlamentare për të caktuar seancën e radhës, e cila pritet të zhvillohet gjatë të enjtes ndërkohë që do të votohen përbërja e komisioneve parlamentare. 

Ndërkohë po të enjten pritet që Partia Socialiste të mbledhë Kryesinë, për të përcaktuar emrat që do të drejtojnë 5 komisione parlamentare nga 8 që janë gjithësej.

Përveç emrave të kryetarëve, Partia Socialiste do të diskutojë edhe  ndarjen e deputetëve nëpër komisione.

Nga ana tjetër, në orën 17.00 në mjediset e Presidencës do të bëhet betimi i kabinetit të ri qeveritar, të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë mëngjesin e sotëm.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Demarkacioni me Malin e Zi, Pacolli nesër në Podgoricë

Close