Akuza policisë - Llalla: Kanabisi shqetësim, prokurorët përjashtohen nga asgjesimi
21/04/2017 - 10:20

Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili ishte sot në Prokurorinë e Përgjithshme për t’i dorëzuar Kryeprokurorit rekomandimet e qeverisë shqiptare për politikat penale. Bashkëpunimi ndërinstitucional ishte thelbi i kërkesës së Ministrit, i cili mori si përgjgije nga kryeprkurori Adriatik Lllalla akuzën se policia e shtetit shkel ligjin duke mos vënë në dijeni prokurorinë për mënyrën e administrimit dhe asgjësimit të lëndëve narkotike që sekuestrohen.

Tiranë- Kultivimi i lëndëve narkotike në vend vazhdon të jetë shqetësues.

Kryeprokurori Adriatik Llalla duke iu referuar raportimeve ditore për kapjen e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike, lëshoi akuza të forta për policinë, e cila sipas tij asgjëson lëndën narkotike pa praninë e prokurorëve, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin.

Llalla: “Në mënyrë të vazhdueshme bëjnë publike të dhëna se çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, asgjesohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mospërfshirje totale të prokurorëve në mënyrën sesi administrohen, sekuestrohet dhe asgjesohen këto lëndë narkotike”.

Kërkesa e kryeprokurorit për vartësit e tij ishte e qartë: “Ju rikërkoj që në të gjitha rastet kur ka dyshime që provat materiale asgjesohen në mënyrë të kundraligjshme të fillojnë hetimet nëse kjo lëndë narkotike apo çdo lëndë tjetër, provë materiale nuk asgjesohet ose administrohet në mënyrën e parashikuar në ligj  dhe të vendosen para përgjegjësisë ligjore autorët”.

Deklaratat Llalla i bëri gjatë një takimi me Ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili, i cili i dorëzoi Kryeprokurorit rekomandimet për politikën penale ku kryesorja ishte bashkëpunimi ndërinstitucional.

Vasili tha se nëse problemet personale ndikojnë në punë, atëherë më mirë që prokurorët të heqin dorë nga kjo punë.

Ministri Vasili tha se gjithashtu është e nevojshme edhe futja e metodave të specializuara të hetimit për të ashpërsuar luftën kundër grupeve të strukturuara kriminale. 

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Llalla tha se gjatë vitit të kaluar dhe në vijim ka një rënie të theksuar të numrit të referimeve për veprën penale të korrupsionit nga të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend.

“Për këtë arsye nga unë janë orientuar të gjithë strukturat e prokurorisë të fillojnë hetimet kryesisht për të gjitha rastet kur ka dyshime për elementë të veprës penale të korrupsionit. Falenderoj median për kontributin që jep në mënyrë të vazhdueshme me denoncimet publike të rasteve të korrupsionit në rradhët e administratës publike”.

Ku shkon kanabisi që raportohet se kapet apo asgjesohet?!

Llalla: Një ndër problematikat kryesore dhe çështjet më sensitive është dhe lufta kundër krimit të organizuar. Gjatë kësaj periudhe vijon të jetë tepër shqetësuese fakti se në vend vijon të kultivohen dhe trafikohen sasi të mëdha lëndësh narkotike. Problem tepër shqetësues të cilin institucioni ynë, posaçërisht Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë qenë të angazhuara me të gjitha mjetet e tyre. Është shqetësues fakti se nga strukturat e tjera ligjzbatuese, të cilat kanë për detyrë të kontrollojnë territorin dhe verifikojnë këto raste, ka një përqindje shumë të ulët të autorëve të këtyre veprave penale. Kemi kontakte të vashdueshme me institucionet e tjera përgjegjëse, por gjithësesi rezultatet e zbulimit të autorëve të veprave penale mbeten tepër të ulëta.

Një problematikë tjetër mbetet mënyra e administrimit të provave materiale. Posaçërisht në rastin e lëndëve narkotike. Në mënyrë të vazhdueshme bëjnë publike të dhëna se çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, asgjesohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mospërfshirje totale të prokurorëve në mënyrën sesi administrohen, sekuestrohet dhe asgjesohen këto lëndë narkotike. Është detyrim ligjor i gjithësecilit prej nesh të verifikojë këto rastet, për të parë, verifikuar dhe vendosur para përgjegjësisë ligjore kur konstatohet se lënda narkotike dhe provat e tjera materiale asgjesohen në mënyrë jo të parashikuar nga ligji. Në të gjitha rastet, lënda narkotike ashtu si çdo provë tjetër do të asgjesohet në prani të Prokurorit. Ju rikërkoj që në të gjitha rastet kur ka dyshime që provat materiale asgjesohen në mënyrë të kundraligjshme të fillojnë hetimet nëse kjo lëndë narkotike apo çdo lëndë tjetër, provë materiale nuk asgjesohet ose administrohet në mënyrën e parashikuar në ligj  dhe të vendosen para përgjegjësisë ligjore autorët.

 Prokuroria në punë, institucionet nuk denoncojnë korrupsionin

Ligjvënësit kanë përcaktuar një sërë institucionesh të cilat duhet të mbledhin të dhëna për t’ia referuar organit të hetimit. Gjatë vitit të kaluar dhe në vijim ka një rënie të theksuar të numrit të referimeve për veprën penale të korrupsionit nga të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend. Për këtë arsye nga unë janë orientuar të gjithë strukturat e prokurorisë të fillojnë hetimet kryesisht për të gjitha rastet kur ka dyshime për elementë të veprës penale të korrupsionit. Falenderoj median për kontributin që jep në mënyrë të vazhdueshme me denoncimet publike të rasteve të korrupsionit në rradhët e administratës publike. Institucioni i prokurorisë ka filluar hetimet në të gjitha rastet kur nga mediat janë bërë publike të dhëna ose dyshime për situata korrupsioni në institucionet publike.Thuajse në gjitha rastet ka rezultuar se zyrtarët kanë qenë përgjegjës, fajtorë për veprat penale për të cilat janë denoncuar publikisht. Në këtë periudhë tranzitore të reformimit të drejtësisë në vend, ku pritet të krijohet Prokuroria e Posaçme, Struktutra e Posaçme e luftës kundër korrupsionit, jemi në një periudhë tranzitore dhe të gjithë strukturat e prokurorisë do të jenë të angazhuara për të vijuar të hetojnë të gjitha rastet e korrupsionit në rradhët e administratës publike, pavarësisht se gjatë kohës pritet të krijohen strukturat përkatëse.

Të krijohen sa më shpejt institucionet që kontrollojnë prokurorët

Në këtë periudhë tranzitore institucioni ynë, prokurorët do kenë përgjegjësi dhe do të jenë të përfshirë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në mënyrën e hetimit dhe përfundimit të hetimeve penale, përfaqësimit të tyre në gjykim. Kjo është risi e re. Përgjegjësia mbetet e drejtëpërdrejtë e çdo prokurori në vend.Kjo është një problematikë që duhet trajtuar në mënyrë më të shpejtë nga institucionet përkatëse të cilat do verifikojnë punën e prokurorëve, do të kontrollojnë disiplinën e tyre, duhen krijuar sa më shpejt. Gjatë kësaj periudhe kemi ndeshur problematika të kësaj natyre, ku prokurorë të caktuar në shkelje në normave proceduriale të etikës profesionale, morale të tyre kanë filluar të shpërdorojnë detyrën. Para pak kohësh patëm një rast të tillë problemati në Prokurorinë e Përgjithshme ku një prokuror në mënyrë totalisht të kundraligjshme, në kundërshtim me vendimet e gjyjkatës së shkallës së parë, Apelit, kërkon në Gjykatën e Lartë pushimin e akuzave ndaj disa të pandehurve të akuzuar për vepra tepër të rënda penale. Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të ndjekë me vëmendje të gjitha rastet, duke filluar hetime në ato raste kur dyshohet se ka vepër penale ndaj cilitdo prokuror, oficer të policisë gjyqësore apo punonjësi tjetër të sistemit të drejtësisë.

Vasili vlerëson bashkëpunimin me Prokurorinë

Vasili e vlerësoi si shumë efikas bashkëpunimin mes Ministrisë së Drejtësië dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ku shpejtësia me të cilën komunikon, tha Ministri, duhet të merret si shembull bashkëpunimi dhe nga institucionet e tjera.

Vasili: Vlerësoj bashkëpunimin e vazhdueshëm me prokurorinë, një bashkëpunim efektiv, i shpejtë dhe efikas. Zvarritja e ndjekjeve të çështjeve të caktuara penale, zvarritja në marrjen e informacionit ka qenë një kohë e fituar nga ata që janë kundërshtarë të drejtësisë dhe janë në krahun e krimit të organizuar dhe jo krahun tonë.

Prioritetet për 2017

Në vitin 2017 si prioritete madhore do të ishin në rradhë të parë garantimi i pavarësisë së prokurorisë dhe prokurorëve në mënyrë të veçantë, lufta kundër krimit të organizuar, veçanërisht në luftën kudrejt trafikut të lëndëve narkotike, respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të individëve vunerabël, prioritet i veçantë lufta ndaj korrupsionit dhe besoj se një nga pikat delikate është përmirësimi dhe forcimi në mënyrë të veçantë i bashkëpunimit ndërinstitucional.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close