Denoncimi - Kundër “Divjakë resort Albania”. Do të shkatërrojë florën dhe faunën
15/04/2017 - 14:08 Nga: Florinda Merko

Përfaqësues të Koalicionit të shoqërisë civile në mbrojtje të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta përmes një konference për shtyp kanë ngritur shqetësimin se projekti për ndërtimin e një resorti turistik në Divjakë do të shkatërrojë parkun.

Sipas tyre zbatimi i projektit do të tjetërsojë 10% të sipërfaqes së parkut si dhe do të shkatërrojë florën e faunën.

Tirane- Rreth 10% e territorit të parkut të Divjakës do të shkatërrohet pasi preket nga projeki “Divjakë Resort Albania”.

Është ky shqetësimi i ngritur nga Koalicioni i Shoqërisë Civile në mbrojtje të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta dhe shoqata e ambientalistëve.

Valbona Mazreku: “Projekti i ndërtimit kërkon zënien dhe zhdukjen e 10% të territorit të parkut, ndërkohë që infrastruktura shoqëruese e përbërë nga rrugë, ndriçim, rrjet elektrik, dallgë kthyese dhe aktivitete të tjera do të ndikojnë negativisht në 100% të sipërfaqes së tij. Për një vlerë vetëm 1 euro projekti kërkon të zaptojë 12 km të vijës bregdetare. Ky projekt është shkatërrimtar, i kundraligjshëm dhe duhet ndalur.”

Nga ana tjetër Taulant Bino tha se pavarësisht dy kërkesave të ambientalistëve për më shumë informacione lidhur me projektin Ministria e Mjedisit nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa sqaroi se nga ky projekt preket parku me të cilin krenohet Shqipëria.

Taulant Bino: “Qeveria krenohet me parkun kombëtar të Divjakës, thotë është zona më e qetë, zona më e bukur, zona më e pasur, me shpendë. Sa herë që flasim për suksese ne nxjerrim zonën e Divjakës, dhe pikërisht në këtë zonë të sukseseve propozohet urbanizmi që i shkatërron ato tërësisht.”

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga zonat e mbrojtura më të njohura, me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe njëkohësisht territori natyror më i ruajtur në Shqipëri. Si i tillë, parku mbrohet jo vetëm nga legjislacioni shqiptar, por edhe nga disa konventa ndërkombëtare si: Konventa Ramsar, e Bernës, ESPOO, etj. Githashtu Divjakë-Karavasta-ja është zonë përbërëse e Rrjetit Emerald, Zonës e Rëndësishme për Shpendët, epiqendër e Larmisë Biologjike dhe e Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Dialogue, PM supports President’s initiative for political dialogue

Close