Problem për pushuesit - Ksamil, ujërat e zeza mbysin me erë të keqe rrugët e qendrës
12/07/2017 - 12:37 Nga: Geraldi Bregu

Pusetat e ujërave të zeza në qendër të Ksamilit lëshojnë erë të keqe saqë po largojnë pushuesit nga banesat dhe hotelet e zonës. Banorët ankohen për Ujësjellësin që ka lënë hapur pusetat, por drejtori Sheme Luloi thotë se faji për erën e keqe është i vetë banorëve që kanë kryer lidhje të paligjshme të ujërave të zeza. Ai premtoi ndërhyrje për pastrimin e rrjetit.

Sezoni turistik është në muajt e pikut, dhe Ksamili është mbushur me pushues vendas e të huaj, por nuk mungojnë problematikat që i detyrojnë ata të largohen.

Kështu, në qendër të Ksamilit, banorët ankohen për erën e keqe sidomos në orët e pasdites që sipas tyre vjen nga pusetat anës rrugës.

Për të mbytur erën, ata i kanë mbuluar me qese plastike, ndërsa thonë se kjo situatë po largon pushuesit nga banesat dhe hotelet e zonës.

Në lagje sapo ka përfunduar një projekt i komunitetit europian dhe qeverisë shqiptare për sistemin e rrjetit të ujrave të bardha dhe të zeza si dhe janë vendosur 5 stacione pompimi për heqjen e ujrave të zeza. Projekti i përfunduar nuk është marrë në dorëzim nga Bashkia e Sarandës. 

Ora News u interesua në qendrën administrative ku Administratorja e Ksamilit, Valbona Oruçi, tha jashtë kamerave se është në dijeni të shqetësimit të banorëve, por sipas saj fajin duhet ta ketë Ndërmarrja e Ujësjellësit të Sarandës.

Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Sarandës, Sheme Luloi, ndërkaq thotë se është konstatuar një problem i tillë dhe se faji është i disa banorëve të cilët në mënyrë të jashtëligjshme kanë lidhur shkarkimin e ujërave të zeza në kolektorin e ujërave të bardha.

Luloi: Momenti i tanishëm ka difektet dhe mangësitë e veta. Sot kam marrë masat, po përgatis agregatin që të shkojë të bëjë pastrimin e asaj pjese tek qendra e Ksamilit. Pastaj hap pas hapi të evidentojmë se cilat janë këta persona që kanë bërë shkarkimin e godinave të tyre tek rrjeti i ujërave të bardha. Ti evidentojmë, ti riparojmë dhe më mbrapa të marrim dhe masa të ndryshme po qe e nevojshme.

Sipas drejtorit Luloi, do të pastrohet i gjithë rrjeti nga ujrat e zeza si edhe do të evidentohen dhe priten të gjitha lidhjet në kolektorin e ujërave të bardha.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close