Konfindustria: Rënie të mbështetjes së prodhuesve vendorë ndaj integrimit
Vendi - 17/12/2012 13:57

Konfindustria vlerëson, se ka një rënie shumë të ndjeshme të mbështetjes së një numri të madh të sektorëve të industrive vendore për proçesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Mbështetur në të dhënat e sondazhit krahësimor në periudhen 2010-2012 të zhvilluar me përfaqësues të sektorëve të industrive vendore nga Qëndra e Studimeve të Konfindustrisë  thekson se mbështetje e prodhuesve vendore për integrimin e Shqipërisë në BE në intervalin kohor 2 vjeçar ka rënë në shifrat mesatare me mbi 27%.

“Rënia është mjaft më e fortë në industritë vendore, që i përkasin sektorëve, që prodhojnë për tregun e brendshëm kryesisht të industrisë agroushqimore, të pijeve alkoolike dhe jooalkolike, të prodhimit të materialeve të ndërtimit, të mobilerisë, etj.. Përfaqësuesit e sektorëve të industrisë, që prodhojnë lëndë të para për eksport kryesisht në industrinë minerare janë shprehur të qëndrueshëm në gatishmërinë  e tyre për integrimin e Shqipërisë në BE” thekson Konfindustria.

Sipas, Konfindustrisë arsyet kryesore të rritjes së mosbesimit dhe të uljes së gatishmërisë së industrive prodhuese shqiptare për integrimin e vendit në BE është zhgënjimi nga pritshmëritë e zbatimit të MSA dhe të Marrëveshjes së Përkohshme të Tregtisë Shqipëri- BE, rritja e shkallës së konkurueshmërisë së prodhimeve dhe shërbimeve me origjinë nga BE në tregun vendor si pasojë e politikave të gjykuara si dumping me financime të BE, etj.

“Ulja e mbështetjes së gatishmërisë të industrive vendore për proçesin e integrimit në BE është mjaft e shpejtë sidomos në vitin e 2012, që përputhet dhe me vështirësitë në rritje të ekonomisë shqiptare nga pasojat e krizës globale dhe vendeve kryesore partnere në tregti të Shqipërisë si Italia dhe Greqia” thekson më tej Konfindustria.