Auditimi - KLSH: AKU nuk arrin të garantojë sigurinë ushqimore në vend
21/08/2017 - 18:49

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk arrin të garantojë sigurinë ushqimore në vend.

Në raportin e auditimit të periudhës janar 2012 -dhjetor 2016 konstatohet se inspektorët nuk janë të shpërndarë sipas peshës që kanë rajonet, madje dhe se nuk kanë informacion për biznese e reja që janë licensuar.

Madje AKU nuk disponon të dhëna mbi listën e operatorëve të biznesit ushqimor të regjistruara me TVSH-në, dhe për pasojë ka cënuar sigurinë ushqimore në vend.

Në raport nënvizohet se marrja e mostrave në PIK për vitin 2015 është tejkaluar 48 %, por në 2016 nga 4,333 mostra, të planifikuara janë marrë vetëm 2,973 ose 69 % e numrit.

 Sipas shpjegimeve të AKU ka ardhur kryesisht nga mungesa e reagentëve për kryerjen e analizave, por sipas auditimit, thuhet në raportin e KLSH, ka mangësi të planifikimit, pasi shpjegimi i një planifikimi dhe realizimi të tillë të çon në arsyetimin se afër 1/3 e produkteve të hyra në Shqipëri nuk janë monitoruar, duke rrezikuar sigurinë ushqimore në vend.

Por problem nuk janë vetëm mungesa e kontrolleve, sipas raportit të KLSH-së në përgjithësi në të gjitha PIK mungon infrastruktura e domosdoshme për të garantuar siguri dhe besueshmëri në rezultatet e analizave të mostrave, pasi mungojnë pajisjet e nevojshme.

Inspektorët nuk kanë dijeni mbi listën e laboratorëve të çertifikuar për mallrat ushqimore të importuara, mbi bazën e të cilëve duhet të paraqitet raport-analiza e kryer në vendet e origjinës.

Nga ana tjetër edhe pse AKU ka raportuar një sërë kontrollesh dhe masash, KLSH nënvizon se subjektet e ndëshkuara me gjobë për periudhën 2012-2016 kanë paguar vullnetarisht një përqindje shumë të vogël që është mesatarisht rreth 5 % e vlerës,  teksa theksohet se në rajone si Tirana dhe Vlora nuk paguhet asnjë gjobë vullnetarisht.

Gjithashtu KLSH tërheq vëmendjen për lëvizjen e shpejtë të drejtorëve dhe largime të paargumentuara nga puna.

Nga proceset gjyqësore, këto lëvizje shkaktuan mbi 78 milion lekë dëm në buxhetin e shtetit.

Raporti i KLSH për AKU 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Edhe Presidenti Thaçi bën presion për ratifikimin e Demarkacionit dhe Asociacionit

Close