Tiranë - Investimet në njësinë 4, Veliaj inspekton rikonstruksionin e 18 rrugëve
15/06/2017 - 13:32

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kandidatët për deputetë të PS-së inspektuan në njësinë 4 ndërtimin e 18 rrugëve lidhëse në zonën e Alliasit, si dhe punimet që po kryhen për rehabilitimin e Bregut të Lumit, investim i cili prek njësitë administrative 4, 8, 9 dhe 11.

Kryebashkiaku Veliaj garanton qytetarët se investimet në kryeqytet shihen përtej qëndrës dhe unazës, në zonat periferike.

Një zonë e rehabilituar, tha Veliaj, ndikon në rritjen e çmimit të pronës për objekte dhe troje që shiten apo jepen me qira.

Veliaj: “Shumë banesa që konsideroheshin vetëm banesa me mure të larta, sot quhen vila, pa e ndryshuar formën e ndërtesës, por vetëm nga fakti se kanë ulur gardhet, kanë vendosur kangjella, kanë mbjellë lule, është zhvendosur trotuari, janë bërë veshjet me pllakë etj. Angazhimi i Bashkisë së Tiranës është që, siç kemi bërë në Njësinë 4 me rregullimin e 18 rrugëve, me shkollën e re ‘Ardian Klosi’, me çerdhen, me kopshtin, me qendrën sociale, me kompleksin e qendrës shëndetësore, kështu do të vazhdojmë edhe në Njësinë 8, në Njësinë 9 dhe në Njësinë 11, për t’u siguruar që zona e Bregut të Lumit, nga një zonë totalisht e degraduar, të jetë një nga zonat më të preferuara të qytetit”.

Pas mbylljes së procesit të legalizimit nga qeveria, një ndër problematikat më të mëdha edhe për kryeqytetin e urbanizuar ndjeshëm vitet e fundit, Bashkia do të përqëndrohet në zona ku kanë qenë më problematike me banesa e objekte informale, siç janë shtëpinë në zonën e Bregut të Lumit.

Veliaj: “Kemi parë sot rehabilitimin e një lagje të tërë te Bregu i Lumit, zonë kryesisht informale. Në katër vitet e fundit është bërë një pjesë e madhe e legalizimeve nga qeveria dhe tani Bashkia ndërhyn për ta urbanizuar”.

Veliaj u kërkoi votën kryeqytetasve për Edi Ramën me qëllim që në të njëjtën linjë të vijojnë investimet.

Veliaj: “I vetmi nder që unë si Kryetar Bashkie dhe administrator i këtij qyteti i kërkoj qytetarëve të Bregut të Lumit në njësinë 8, 9, 11 dhe 4 të na ndihmojnë që të vazhdojmë me PS. Të vazhdojmë me Edi Ramën, duke pasur një derë të hapur në qeveri, siç kemi punuar në këtë bllok me 18 rrugë dhe i kemi rritur disa herë vlerën pronën, siç kemi punuar në Pazar të Ri dhe i kemi rritur disa herë vlerën pronës, siç kemi punuar tek Bregu i Lumit, që preket nga projekti i Bulevardit të Ri në njësinë 9 dhe i është shtuar vlera pronës. Imagjinoni se çfarë mund të bëjmë në 2 vitet e ardhshme për Tiranën me një qeveri të fortë dhe me Edi Ramën, që e mbështet me të dyja duart fuqishëm qytetin tonë”.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Opposition front , DP and SMI demand the removal of the prime minister

Close