Tiranë - Hidhen themelet e shkollës “Kosova”, hapet shtatorin e vitit tjetër
16/08/2017 - 13:01

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për hapjen e themeleve të godinës së shkollës “Kosova” , e cila do të jetë katër herë më e madhe se sa ish-ndërtesa e mëparshme që u dogj për t’u shndërruar në pallat.

Në nisjen e punimeve kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se shkolla do të jetë gati pas një viti. 

Erion Veliaj: Më në fund, sot jemi në një situatë ku po hedhim themelet e shkollës, të cilën do mund ta rihapim shtatorin tjetër, pas disa vitesh ndërprerje. Një projekt i cili ka kaq kohë që përgatitet, por më në fund, me ndihmën e qeverisë shqiptare për shpronësimet, pastrimin e territorit, kemi rifituar një hapësirë publike e cila në vitet e rrumpallës së Bashkisë së Tiranës u kthye në një hapësirë për të bërë pallat, si një hapësirë për përfitim personal dhe jo publik”.

Si një ish-nxënës i kësaj shkolle, Veliaj shprehu kënaqësinë e dyfishtë se ky institucion arsimor do të rikthehet me një kapacitet 4 herë më të madh

“Shkolla shkon nga një kat me qerpiç, ndërtuar vite më parë, në një katërkatësh me ashensor, me aksesueshmëri edhe për ata që janë me aftësi të kufizuar, me një auditorium 125 vende për të gjithë komunitetin, me një palestër moderne, me disa laboratorë. Do të ketë të njëjtin cilësi, siç ka qenë ndër vite reputacioni i shkollës ‘Kosova’” shtoi Veliaj.

Ai tha se hapja e dyerve të kësaj shkolle vitin e ardhshëm do të ndihmojë që të ulet ngarkesa edhe në shkollat e tjera përreth që funksionojnë në këtë njësi. 

Me shkollën “Kosova” shkon në 4 numri i shkollave të reja që i shtohen Tiranës për të vazhduar më pas edhe me 16 shkolla të tjera të reja që do të ndërtohen në partneritet me privatin dhe që do t’i japin fund problemit të ngarkesave në klasa. 

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Turizmi, Prefekti ngre problemin e ujit, stafit mjekësor dhe kullat e rojës

Close