Këshilltari i MAS - Feja në shkolla, Leka: Debati zhurmnajë, tekstet do jenë falas, nuk cënohet laiciteti
12/04/2016 - 17:32

Mësimi mbi fenë në shkolla nuk do të ketë asnjë kosto financiare për prindërit dhe nxënësit në 10 shkollat ku Qeveria ka vendosur të pilotojë projektin.

Agim Leka, këshilltar i Ministres së Arsimit tha në një intervistë për Ora News tha se materialet do tw jepen falas.

Ai theksoi se informimi mbi historinë dhe kulturën fetare forcon laicitetin në shkolla.

Leka: Nuk ka asnjë rrezik predikimi në shkolla. Laiciteti i një shkolle nuk forcohet duke u frikësuar nga dija, nga informacioni, duke u mbyllur, duke  izoluar.Përmbajtja e saj është histori për kulturën.Duhet të jenë të sigurt prindërit  e të gjithë Shqipërisë dhe nxënësit se nuk do të kenë asnjë qindarkë shpenzime për të blerë këto materiale sepse unë besoj se do të jepen falas.

Debatin publik të hapur mbi këtë çështje ai e cilësoi një zhurmnajë.

Leka: Fëmijët dhe prindërit të mos shqetësohen nga zhurmnaja që po bëhet, nuk bëhet fjalë për futjen e fesë në shkolla, nuk bëhet fjalë për edukim fetar të nxënësve por bëhet fjalë për një modul, lëndë e cila do të zhvillohet në klasat e gjashta dhe në klasën e dhjetë. Do zhvillohet brenda një semestri, është modul me 18 deri në 20 tema.Shkollat janë 10 gjithësej të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, në qytete dhe fshatra pa bërë asnjë paramendim por janë gjetur ato shkolla që janë gjykuar nga ana profesionale, pedagogjike për tu pilotuar. Është duke u pregatitur një draft, i cili nuk mund të thuhet se është një lëndë sepse është një modul që ka historinë e feve dhe kulturës fetare.Kjo gjë nuk është vetëm për Shqipërinë, ne jemi të fundit që po e bëjmë këtë lëvizje. Shtete të tjera që kanë kaluar sistemin diktatorial, tranzicionin, e kanë aplikuar dhe po e bëjnë këtë proçes.

I pyetur se nga është marrë modeli që do të implementohet në kurrikula, Leka sqaroi:

Leka: Modelat e kurrikulave janë kombëtare, ne kemi studiuar një literaturë të bollshme nga të gjitha vendet e Europës, sidomos nga Franca, Italia, Belgjika, Gjermania. Kemi marrë këshilla nga specialistët francezë, italianë, specialistë të UNESCO-s, specialistë që merren me këtë çështje. Kemi shfletuar shumë materiale, grupi i punës ka punuar,është konsultuar me literaturë të shkruar, me  tekste që na vinë nga jashtë që na janë vënë në dispozicion nga Universitete të Francës dhe të tjera. Është grumbulluar një përvojë e madhe. Nuk mund të kopjohet një kurrikul e një vendi tjetër në vendin tonë edhe në rastin e njohurive për fenë. Tre janë përqasjet në gjithë botën, nxënia në fe që është edukim fetar dhe as që bëhet fjalë për Shqipërinë, nxënia për fenë për problemet që kanë të bëjnë me kulturën dhe historinë e fesë dhe kjo është qasja që ne bëjmë. Ne nuk po studiojmë fenë në shkollë por po marrim njohuri për fenë dhe besimet fetare, e kemi detyrim. Është nxënëie mbi fenë.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close