U riaktivizua gjatë pasdites - Falë ndërhyrjes së ushtrisë, zjarri në Manati të Lezhës nën kontroll
17/07/2017 - 19:37 Nga: Elvis Hila

Zjarri në Manati të Lezhës u riaktivizua sërish pasditen e sotme. Era e fortë bëri që flakët të shpërthenin sërish, por pa rrezikuar banesa.

Më herët ishte provuar që flakët të shuhen nga ajri, por për shkak të erës së fortë efektshmëria e tij ka qenë e ulët.

Pas rindezjes së vatres në zonë janë dërguar menjëherë forcat e ushtrisë, pasi zjarrfikesit e kishin të pamundur për shkak të terrenit të thyer malor.

Ndërhyrja nisi menjëherë dhe flakët janë vënë sërish nën kontroll.

Emergjencat Civile në Lezhë, zjarrfikësit dhe shërbimi pyjor vijojnë të jenë në terren për të monitoruar situatën, ndërsa veprimet po kordinohen në mënyrë që flaket të shuhen para se të bjerë nata.

Më herët një shtëpi u dogj në Torovicë të Lezhës si pasojë e flakëve të zjarrit, ndërsa përshkallëzimi i situatës u mënjanua pas ndërhyrjes së ushtrisë.

Që prej natës të së dielës, Lezha është përfshirë nga dy vatra të fuqishme zjarri që kanë djegur mbi 10 hektarë me pyje, ullishte e pemë frutore.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
U kapën me 200 mijë paund kokainë, 20 vjet burg për tre shqiptarë

Close