Akuzat ndaj Metës - Doshi kërkon pushim të çështjes, Frroku e Bami transferim gjykate
20/03/2017 - 11:28

Gjykata e Lartë zhvilloi sot seancën e rradhës për deputetin Tom Doshi, ish-deputetin Mark Frroku dhe Durim Bamin.

Avokati i Doshit kërkoi në seancë shfuqizimin e vendimit të prokurorisë për dërgimin e çështjes në gjyq.

Nga ana tjetër, avokatët e Frrokut dhe Bamit kërkuan veçimin e çështjes dhe transferimin për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Lidhur me kërkesat e parashtruara nga mbrojtja e të pandehurve, Gjykata e Lartë pritet të vendosë me 7 prill.

 Tom Doshi, Mark Frroku dhe shtetasi Durim Bami akuzohen për “kallëzim të rremë në bashkëpunim”.

Prokuroria mban qëndrimin se vepra e “kallëzimit në bashkëpunim” qëndron në faktin se të tre të pandehurit kanë fabrikuar prova të rreme, sikurse është videoja Doshi-Bami, në të cilën flitej për një skenar ekzekutimi në dëm të deputetit Doshi me porosi të kreut të Kuvendit Ilir Meta.

Për çështjen hetimore, e cila pas qëndrimit të Doshit se Durim Bami ishte ndërmjetësuar për të kryer vrasjen e tij, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u thirrën personalitete të jetës politike në vend, që nga kryeministri Rama, ish-kryeminisri Berisha, kreu i Kuvendit Meta, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e një sërë deputetësh.

Për këtë çështje, Doshi përballet me masën “detyrim paraqitje”, Durim Bami mbahet në arrest shtëpie, ndërsa deputeti Mark Frroku në “arrest me burg”, për shkak të një dosjeje tjetër hetimore të hapur në ngarkim të tij në Belgjikë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
BOOM/ Krim mjedisor, lumenjtë pushtohen nga inerte e mbetje urbane

Close