Dita e luleve në Shkodër, tre orë festime, këngë e piktura, pandemia nuk kufizoi shpirtin artistik të shkodranëve

Në qytetin e luleve, ajo që ka qenë muza për shumë artistë, as këtë vit nuk mungoi festa e 6 Majit, ditës kushtuar lules.

Pandemia i kufizoi festimet, por jo shpirtin artistik të shkodranëve që e duan të bukurën.

Zërat e bukur të fëmijëve dhuruan për mbi 3 orë një spektakël të veçantë, ku për të ardhur tek finalja e këtij aktiviteti është punuar për muaj të tërë.

"Për të 26 vit me radhë në ngjitemi në këtë skenë dhe i ofrojmë Shkodrës në çdo edicion zëra të bukur që nuk do t'i mungojnë edhe këtë radhë," tha Kujtim Alija, drejtor i qendrës kulturore të fëmijëve.

Të veçanta ishin edhe piktura e nxënësve të shkollës artistike Prenkë Jakova, ku kryefjalë e tyre ishin lulet.

"Janë shumë të rëndësishme lulet sidomos në botën e një artisti sepse një artist është shumë i lidhur me natyrën," tha një nxënëse.

"Është punuar rreth 1 muaj e gjysmë për të realizuar këto punime," tha Ilda Gjinaj, mësuese.

Për më të rriturit, nxënësit e Hamdi Bushatit të cilët dijet i marrin në fushën e turizmit, kjo ditë merr një rëndësi edhe më të madhe për vetë studimet që ato ndjekin.

"Sot në panair kemi prezantuar disa qëndisje që kanë të bëjnë me ditën e luleve, janë qëndisje të punuara me dorë," thotë një nxënëse.

Shkodra i ka thurur mbi 150 këngë luleve, ndërsa në oborret e shtëpive karakteristike janë simbol luleborat, karajfilat, jasemini etj.

EMISIONET