Tirane - Deputeti Aqif Rakipi përplas për vdekje kalimtarin, dorëzohet në polici
12/08/2017 - 15:54

Në orët e para të mëngjesit të sotëm deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi është përfshirë në një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një 54 vjeçari.

Makina e cila drejtohej nga deputeti i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet përplasi për vdekje një kalimtar në rrugën Interurbane kryesore Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të kthesës së Kamzës.

Deputeti Rakipi e ka përplasur kalimtarin me automjetin e tij benz dhe pas kësaj është larguar nga vendi i ngjarjes për t’u paraqitur në komisariatin nr 2 të policisë.  

Por, pavarësisht kësaj lëvizje nga vendi i aksidentit, sipas uniformave blu janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale që lidhen me ekzaminime të ndryshme kriminialistike, tekstin e alkoolit dhe sqarimi i plotë i ngjarjes.

Policia deklaron se u informua për aksidentin e ndodhur konkretisht përballë me Tregun ushqimor, rreth orës 04:41. dhe 10 minuta më pas policia deklaron se deputeti është paraqitur në polici.   

Më vonë u bë dhe identifikimi i viktimës. Ai është Seit Sorra, 54 vjeç lindur dhe banues në Kus të Kasharit.

Dorëzimi në polici-  “Menjëherë është nisur patrulla e policisë për të verifikuar informacionin, e cila pak minuta më vonë ka konstatuar një person në rrugë pa shenja jete, dhe në këto momente, afërsisht në orën 04:51  minuta, Komisariati i Policise nr.2 ka njoftuar që në këtë Komisariat është paraqitur shtetasi A. R., me automjetin e tij, tip Mercedes (i dëmtuar në pjesën e përparme të tij) i cili deklaroi se ka përplasur një person në autostradë dhe po dorozohej në Komisariat” informon policia.

Hetimet-  Policia deklaroi se grupi hetimor po punonte për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që shkaktuan aksidentin rrugor dhe se krahas ekspertit autoteknik të Policisë, do caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm.

“Policia informon se ishte formuar grupi hetimor dhe eshte kërkuar ndërhyrja e Prokurorit të gatshëm, por nuk ishte mundësuar lidhja nëpërmjet celularit, “të cilin e kishte të fikur”

 Në keto kushte u kryen veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kryerjes së veprimeve, u njoftua Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili pasi u informua për rrethanat dhe veprimet e para, kërkoi që krahas Ekspertit autoteknik të Policisë, të caktoheshin edhe dy ekspertë të tjerë autoteknik të jashtëm, me qellim kryerjen e një ekspertimi autoteknik me grup ekspertesh”

Ndërkohë mes PD dhe PDIU ka pasur përplasje.

Akuzat e PD-se- Nuk kaluan disa minuta nga njoftimi i policise dhe PD përmes një deklarate hodhi dyshime se po kërkohen të manipulohen provat  dhe vendngjarja në favor të deputetit, Aqif Rakipi, duke e quajtur “mik i ngushtë i kryeministrit Rama.”

“Partia Demokratike hedh dyshime se po kërkohen të manipulohen provat dhe vendngjarja në favor të deputetit, Aqif Rakipi, që njihet si mik i ngushtë i kryeministrit Rama. Partia Demokratike kërkon zbardhje dhe transparencë të plotë të ngjarjes të ndodhur sot në oret e para të mëngjesit” thuhet në deklaratën e PD-së.

Makina e deputetit Rakipi me te cilin ndodhi aksidenti

Reagimi i PDIU-se- Më pas erdhi dhe reagimi i Partisë Drejtesi Integrim Unitet e cila i kërkonte Prokurorisë dhe Policisë të mos ndikohet politikisht në zbardhjen e aksidentit të ndodhur mëngjesin e sotëm 

PDIU ka dhe një përgjigje për PD-në e cila hodhi dyshime për manipulim të provave për ‘mikun e ngushtë të Ramës”.  

“PD, në mjerim, kërkon të bëjë politikë e opozitë me një aksident tragjik. Prokuroria e Policia të mos ndikohet politikisht e nuk sheh që është ende në qeveri; është për të ardhur keq që përpiqet mjerisht të abuzojë me raste aksidentesh e fatkeqësish. PDIU i kërkon Prokurorisë dhe Policisë të mos ndikohet politikisht në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike”

Deklarata për shtyp mbyllet duke i shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit për këtë fatkeqësi tragjike.

Kundërpërgjigjja e Policise ndaj PD-se- Në orën 13:50 policia  deklaroi se janë kryer të gjitha veprimet  hetimore dhe proçeduriale. Ndërsa janë kryer ekzaminimet kriminalistike si edhe testi i alkoolit kurse automjeti i perfshirë në ngjarje është sekuestruar në cilësinë e provës material.

Gjithashtu policia iu është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike duke thënë se do të zbatohet ligji pavarësisht nga statuset.

“Menjëherë me marrjen e njoftimit, janë marrë masa për sigurimin e vendit të ngjarjes , dhe kryerjen e veprimeve proçeduriale me drejtuesin e automjetit të përfshirë në aksident.
Pavarësisht lëvizjes nga vendi i ngjarjes dhe paraqitjes në Komisariatin e Policisë të drejtuesit të automjetit, theksojmë se janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe proçeduriale, ekzaminimet e ndryshme kriminalistike , testi i alkoolit dhe sqarimi i rethanave të ngjarjes.

Automjeti i perfshirë në ngjarje , ndodhet në ambjentet e Komisariatit të Policisë në gjendjen e dorëzimit menjëherë pas ngjarjes, i sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Çdo veprim është kryer me korrektësi të plotë nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë. Policia e Shtetit thekson edhe njëherë, se është e ,do vazhdojë të jetë garante e zbatimit të ligjit pavarësisht nga statuset apo përfaqësimet e subjekteve” thuhet në njoftimin e policisë.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close