Presidenti “ngre duart”! - Nishani: Xhafaj i papërshtatshëm si ministër, por vendos Kuvendi
19/03/2017 - 18:05

Pak orë para skadimit të afatit kushtetues kreu i shtetit Bujar Nishani ka konfirmuar se do t’i dekretojë të 4 propozimet e kryeministrit Rama për ministrat e rinj të qeverisë edhe pse ka shprehur rezervat e veta për njërin prej tyre, ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj. Në një komunikim të pazakonshëm për një fundjavë Presidenti tha se kandidatura e Xhafajt për ministër të brendshëm është e papërshtatshme, por kushtetuta nuk ia lejon presidentit ta refuzojë atë. Presidenti i apeloi Kuvendin të ushtrojë të drejtën për ta refuzuar atë nisur nga disa akuza që e lidhin emrin e tij  me hetimet dhe torturat në kohën e komunizmit.   

Kreu i shtetit Nishani në një dalje te pazakontë deklaroi se nëse do t’ ja lejonte Kushtetuta nuk do dekretonte Xhafajn në krye të Ministrisë së Brendshme.

NishaniNë vlerësimin tim kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme. Por, Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht i cili përcakton Kushtetuta për të qenë ministër është ai i kritereve për të qenë deputet.

Në rast se Kushtetuta e vendit do t’ia njihte të drejtën Presidentit, për të refuzuar propozimet e Kryeministrit bazuar në arsyetime, unë  do ta refuzoja kandidaturën e ministrit të Brendshëm.

Në kushtet që Kushtetuta nuk ia njeh këtë drejtë Presidentit, unë besoj dhe shpresoj që ai institucion që Kushtetuta ia njeh këtë të drejtë për të vlerësuar kandidaturat për ministër që është Parlamenti i Shqipërisë, do të gjykojë dhe vlerësojë të gjitha rrethanat, situatën politike dhe specifikën që ka jeta shoqërore, publike e politike e vendit, që janë zgjedhjet e ardhshme politike.

Nishani tha se kishte ndjekur me shqetësim dëshmitë publike ndaj veprimtarisë së Xhafajt gjatë periudhës së komunizmit.

NishaniKam ndjekur me shumë shqetësim edhe disa debate të fundit në lidhje me kandidaturën e ministrit të Brendshëm. Ka pasur dëshmi publike shqetësuese, të cilat akuzojnë kandidaturën e ministrit të Brendshëm për ushtrim dhune dhe torturë gjatë procesit hetimor jo vetëm ndaj subjekteve që hetohen por edhe ndaj familjarëve të tyre.

Sipas dëshmive të tyre, ky hetim bëhet për shkak të reagimit ndaj subjekteve në hetim për vdekjen e diktatorit. Në këto rrethana, në këtë kontest, dhe garancive që duhet të japë personi që do të drejtojë së pari në drejtim të respektimit të lirive, të garantimit të paanshëm të lirive dhe të drejtave dhe posaçërisht në proceseve zgjedhore.

Nishani e konsideroi emergjencë nisjen e depolitizimit të Policisë së Shtetit për këtë i drejtoi një kërkesë Parlamentit. Ai tha se pas kësaj mund të nisë lufta e vërtetë ndaj kanabisit.

Nishani: Ajo që unë do t’i kërkoja Parlamentit ka të bëjë me prioritetet që ka sot dhe duhet të ketë qeveria shqiptare me dikasterin e Ministrisë së Brendshme, që është depolitizimi i menjëhershëm i Policisë së Shtetit. kjo është një emergjencë, e cila jo vetëm do të respektonte përcaktimet kushtetuese dhe ligjore, por nga ana tjetër do të ulte fuqishëm besoj sensin e polarizimit në vend.

Së dyti, lufta kundër kanabisit në vend. Konfiskimi i pronave dhe aseteve financiare të individëve të përfshirë në trafikun e kanabisit, me rekorde të regjistruara konkrete përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Nuk besoj se do të ketë sukses lufta kundër trafikut, nëse nuk kemi një institucion të policisë së shtetit tërësisht të depolitizuar.

Presidenti ofron tryezën e tij per dialog per palët politike por nuk mund të bëjë asgjë në lidhje me qeverinë teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve, pasi keto janë tagër i partive dhe të marreveshjeve mes tyre.

Nishani: Çështja e shtyrjes së zgjedhjeve nuk është një çështje që varet tek Presidenti i Republikës. Presidenti ka përmbushur detyrën e tij kushtetuese duke dekretuar datën e zgjedhjeve.

Presidenti tha se situata para zgjedhore është e tensionuar, ndërsa shpjegon rolin e Ministrisë së Brendshme në gjithë procesin zgjedhor.

Nishani: Kjo situatë e tensionuar pa dyshim nuk e ndihmon procesin e fushatës dhe zgjedhjeve politike, ndërkohë që opozita e vendit ka artikuluar kërkesën për të garantuar zgjedhje të lira. Në këtë kontekst edhe këto vendimmarrje të Këshillit të Ministrave kanë speificikë të veçantë dhe më e veçanta tek Ministria e Brendshme.

Së pari, gjatë viteve të fundit është konstatuar një politizim i skajshëm i Policisë së Shtetit. Tashmë është adresuar shqetësimi i madh i partnerëve ndërkombëtarë në përmasa shumë shqetësuese që ka marrë trafiku i kanabisit. Konstatimi i lidhjeve të krimit të organizuar me politikë. Gjithë kjo situatë kërkon vëmendje të madhe tek Ministria e Brendshme, sepse ajo ka një rol parësor në menaxhimin e procesit zgjedhor.

Kuvendi të investigonte – Nishani: Në rastin konkret do të ishte i nevojshëm një hetim parlamentar. Ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në hartimin e reformës në drejtësi dhe ky hetim, apo investigim parlamentar në rastin konkret do të ishte mjaft e udhës që të qartësonte gjërat që të mos linte akuza të padrejta në drejtim të individit.

Ky është një proces që nuk mund të realizohet për shkak të afateve që Kushtetuta lë. Kurani dhe Bibla e Presidentit të Republikës është Kushtetuta e vendit. Pa dyshim që Presidenti i Republikës ka drejtën për të adresuar qëndrimet e tij dhe në këtë rast adresimin e çështjes tek Kuvendi i Shqipërisë.

Kavajës, Nishani tha: Nuk ka asnjë njoftim qoftë si rasti i Dibrës të dërguar tek Presidenti i Republikës nga Gjykata Kushtetuese.


 

 

 

/Ora News/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Monument për “vrasësin” e miliona njerëzve në botë!

Close