Impakti i Mirëqënies Sociale - “Çadra” nuk di të qeverisë! Rama: Qeveritë abuzonin me fondet
20/03/2017 - 14:47 Nga: Besmira Pelushaj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot Partia Demokratike nuk di të qeverisë vendin. Duke ironizuar me çadrën e protestës, gjatë aktivitetit për nënshkrimin e Impaktit të Mirëqënies Sociale, kreu i Qeverisë tha se të kthehesh pas në kohë do të thotë të humbësh gjithë punën e madhe që ka bërë qeveria me reformat në punësim, paketën e pensioneve dhe ndihmën ekonomike. Në aktivitet ishte edhe Mininstrja e re e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, e cila shprehu angazhimin për të vijuar me reformat.

Kryeministri, Edi Rama, ironizoi me çadrën e opozitës, që sipas tij mban njerëz të paaftë për të qeverisur.

Duke folur gjatë nënshkrimit të Impaktit për Mirëqenien Sociale, Rama tha se Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nuk është më një “xhep fallco”, siç ka shërbyer për më shumë se 20 vite për qeveritë, por është shndërruar në një institucion social në ndihmë të qytetarëve.

Rama: Mjafton të shkosh tek çadra në bulevard t’u shpëndash detyrat dhe t’u thuash hajdeni qeveriseni ju këtë vend dhe po u them vjen vjeshta dhe personat me aftësi të kufizuar dhe të gjithë njerëzit në nevojë të dalin rrugëve për të kërkuar nga e para të drejta tanimë të konsoliduara. Dhe kjo nuk është se ndodh ngaqë do ta bënin me qëllim ata, ata nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër.

Rama theksoi se në tre vite qeveria trefishoi ndihmën e ekonomike, duke hequr nga skema abuzuesit.

Rama: “Për vite e vitë të tëra, fondi i ndihmës ekonomike iu shpërnda kryetarëve të komunave për qëllime elektorale dhe mbanin lidhur një zinxhir skllevërish të varfërisë, të cilët kushtëzoheshin për marrjen e ndihmës me fotografimin e votës. Sot ndihma ekonomike nuk është e mjaftueshme që ne të flemë të qetë, por është 3 herë më e lartë se ç’ishte.”

Për Veliajn, i cili u dorëhoq nga posti i Ministrit për tu bërë kryetar Bashkie i Tiranës, drejtimi i kësaj Ministrie është si një parashkollë politike.

Veliaj: Kjo është një nga ato Ministritë që realisht është një parashkollë politike. Mbaj mend që Ministria trajtohej si një kusur që i jepej një aleati të vogël thjesht për tu marrë me këta varfanjakët, këta njerëzit me ngjyrë, këta njerëzit që mezi ecin. Trajtohej në mënyrën më diskriminuese.

Ndërsa Ministrja e sapodekretuar Olta Xhaçka, të cilës ia dorëzoi stafetën paraardhësi Blendi Klosi, tha se shqiptarët do t’i besojnë të majtës edhe një mandat të dytë në zgjedhjet e 18 qershorit.

Xhaçka: Angazhimi dhe përgjegjshmëria ime mbeten maksimale për të vazhduar këtë punë të shkëlqyer të nisur tre vite më parë, për të shërbyer me përulësi të gjithë ata që na besuan në 2013 dhe që jam e bindur që do të na besojnë për një mandat të dytë në 18 qershor.

Impakti i Mirëqenies Sociale vjen në bashkëpunim me qeverinë zviceriane, një program që nis këtë vit dhe shtrihet në një periudhë kohore 8-vjeçare.

Lexo më shumë: Xhaçkës i urojnë suksese. “Ministria e Mirëqënies, parashkollë politike”

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
ALUIZNI i vë shtëpinë në emër të vëllait, BOOM zgjidh problemin

Close