Tirane - Brenda muajit autobusët me GPS, Veliaj inspekton linjën e Porcelanit
17/02/2017 - 13:48

Tashmë banorët e Linzës dhe zonës së Thesarit kanë mundësi që të udhëtojnë drejt qendrës së Tiranës, pa qenë nevoja të ndryshojnë autobus apo të marrin linja të tjera.

Bashkia e Tiranës ka realizuar një tjetër premtim të sajin, duke zgjatur linjën e Porcelanit deri te godina e Thesarit të Shtetit, çka u mundëson banorëve të kësaj lagjeje të re lëvizjen deri në qendër të Tiranës vetëm me anë të një linje.

Në vazhdën e inspektimeve në terren të shërbimit të transportit publik në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi me autobusët e kësaj linje, ku pa nga afër shërbimin e ofruar dhe u njoh me vlerësimin e qytetarëve, ndërsa theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.

Nga sot e përfitojnë të plotë shërbimin, me abone, dhe më vjen mirë sepse mbajtëm fjalën, ashtu siç premtuam, që autobusin do ta çojmë deri në Linzë dhe gjithë zona nga Teleferiku, te Thesari, Fresku shërbehet tani nga kjo linjë”, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës.

  Enton Punavija, drejtor për Trafikun dhe Lëvizshmërinë në Bashkinë e Tiranës, u shpreh se në linjën  e Porcelanit është shtuar edhe numri i mjeteve të vëna në shërbim të qytetarëve, si dhe një numër i madh qytetarësh të kësaj zone do të kenë tashmë edhe përfitime ekonomike duke u pajisur me abone.

“Linja e Porcelanit është zgjatur duke i shërbyer zonës se urbanizuar, poshtë Dajtit. Nga 10 autobusë që ka patur në inventar, janë bërë 16 autobusë. Është në fazën e kolaudimit e po shikojmë frekuencat, volumet e pasagjerëve për të parë mundësinë edhe të përmirësimit të frekuencave në ditët në vijim. Besoj se brenda javës tjetër i gjithë sistemi do të jetë funksional. Njëkohësisht është në procesin e instalimit të sistemeve GPS dhe besoj që brenda fundit të muajit do ta kemi dhe aksesin për të bërë të mundur monitorimin. Më kryesorja besoj që është përfshirja e një numri shumë të madh banorësh në sistemin e kartelave të pajtimit me abone”, tha Punavija.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
BOOM denoncon skandalin: Zbulohet skema e ndërhyrjes në shortin e Administratives(Emisioni i plotë, 20 mars 2017)

Close