Debati për programin - Berisha: Rama, fitore pa moral; Xhafaj: PD vetëm shpif
12/09/2017 - 13:23 Nga: Sonil Frashëri

Maxhoranca e Edi Ramës në parlament është ligjore por jo morale. Kjo sepse sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, shumica e shqiptarëve nuk e votoi këtë qeveri. Berisha vijoi akuzat e tij për lidhje të qeverisë me botën e krimit, ndërsa theksoi se Ambasadat e huaja nuk i rekomandojnë investitorëve të investojnë në Shqipëri. Në replikë me ish-kryeministrin, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se Partia Demokratike di vetëm të shpifë, ndërkohë sfida e qeverisë është arritja e standardit europian për rendin e sigurinë.

Për herë të parë pas 4 vitesh, ish-kryeministrit Sali Berisha i pritet fjala pasi ka kaluar limitin kohor në parlament.

Në fjalimin e tij 20 minutësh, Berisha tha se maxhoranca e Edi Ramës është ligjore por e ka humbur betejën morale të saj sepse 2.4 milionë shqiptarë në 25 qershor e refuzuan ta votonin.

Berisha: Konstaton menjëherë se ka zi në fytyrën e tyre, ekziston Kushtetuta morale e njeriut, ekziston Kushtetuta morale e kombit. Ju jeni fitimtarët humbës më të të mëdhenj në historinë e këtij vend. 2.4 milionë shqiptarë dhe sa përfaqësojnë ata të tjerë që janë në moshë jo të votimit, ju ndëshkuan.

Berisha akuzoi sërish Kryeministrin si të përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa tha se investitorët e huaj nuk investojnë sepse në Shqipëri nuk është klima e duhur për investime.

Berisha: Nga Priska në Kala të Dodës, nga Librazhdi deri në Frashër dhe Delvinë, tunelet e ushtrisë, depot e rezervave shtetërore janë të vulosura dhe të dyllosura me mijëra e mijëra tonelata drogë që presin për tu shitur.

Me ish-kryeministrin replikoi Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili u shpreh se Partia Demokratike është në harmoni me shpifjen. Xhafaj tha se sfida e qeverisë është arritja e standardit europian për sa i përket rendit dhe sigurisë.

Xhafaj: Ti je personi që na ke kujtuar gjithnjë shprehjen e famshme: Bërtet hajduti, kapeni hajdutin. Vetëm ky e di pse ne në pushtet qenkemi në panik, ndërkohë që ju në opozitë qenkeni në harmoni me shqiptarët. E vërtetë në harmoni por do të thosha me trillimin, shpifjen dhe baltën.

Xhafaj tha se Ministria do të hartojë një plan ambicioz me 10 pika kyçe për të bërë të mundur arritjen e këtij standardi.

Xhafaj: Arritja e standartit të vendeve të BE sa i përket rendit dhe sigurisë publike në shërbim të qytetarëve është sfida e kësaj qeverie për katër vitet e ardhshme.

Programi qeverisës i paraqitur nga kryeministri Edi Rama, për kreun e opozitës Lulzim Basha është një dokument pa asnjë vlerë dhe përmbajtje.

Në fjalën e tij të parë si kryetar i opozitës në parlament, Basha shpalli vdekjen e marrëveshjes së 18 majit me Edi Ramën, pasi thelbi i saj ishte vota e lirë që nuk u arrit në 25 qershor.

Basha tha se kjo është qeveria e vetme që nuk ka asnjë arritje në fushën e integrimit.

 

Pjesë nga fjala e Berishës: Në ligjet dhe kushtetutën e vendit, kjo seancë mblidhet për raportin për programin e qeverisë së 4 viteve që vijnë, mazhorancë kjo e dalë nga zgjedhjet e fundit me 74 deputetë, e transferuar në rrugë e sipër 78 e 80.

Mirëpo cilido që vëren fytyrat e këtyre deputevë dhe shkoëve që qëndrojën prapa meje konstatojnë se ka zi në fytyrën e tyre, ka frikë në sy të tyre, konstaton se ka pasiguri të madhe. Edi Rama mbajti një fjalim të ndryshëm nga ai i 4 viteve më parë. Por ai e mbajti të diktuar nga një panik i madh.

Ai e di mirë, e di mirë cdo deputet se përvec kushtetutës në ligje ekziston kushtetuta morale e njeriut, e kombit, e burrave dhe grave, e fëmijëve që buron nga shpirti i tyre.

Në atë kushtetutë ju jeni fitimtar humbës më të mëdhenjë. Në atë kushtetutë morale ju vini këtu si një pseudomazhorancë e vërtetë. Në atë kushtetutë morale të qytetarit, burrit, gruas, fëmijës, ju jeni të ndëshkuarit e vërtetë.

2.4 mln shqiptarë dhe sa përfaqësojnë ata të tjerë në moshë të votimit, ju përbuzën, ju ndëshkuan.

2.4 mln shqiptarë me votën kundër dhe akoma më rëndë me bojkotin jau shndërruan ju fitoren në një dasëm pa nuse. Ju nuk e gëzoni dot. Cfarë fitore është kjo kur procesit themelor, jetik për demokracinë për liritë nuk i besuan miliona shqiptarë, braksitën kutitë e votimit.

Mund të shtroni pyetjen, po ju ku ishit? Ne patëm probemet tona, por detyrat kryesore e zgjedhjeve është e qeverisë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Demarkacioni me Malin e Zi, Pacolli nesër në Podgoricë

Close