Komisioni i Emergjencave - Berati ndër qarqet më të prekura nga zjarret, kërkohet bashkëpunim
16/08/2017 - 15:54 Nga: Erjola Azizolli

Komisioni i Emergjencave Civile në Qarkun e Beratit është mbledhur këtë të mërkurë për situatën e zjarreve. Në takim të pranishëm ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe drejtues të 5 Bashkive të qarkut të cilët bën një analizë të situatës dhe dëmeve të shkaktuara.

Berati ka qenë një ndër qarqet me të prekura nga zjarret e kësaj vere. Për të analizuar situatën dhe për të parandaluar përkeqësimin e saj, këtë të mërkurë është mbledhur Komisioni i Emergjencave Civile.

Në takim të pranishëm ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe drejtues të 5 Bashkive të qarkut. Prefektja e Qarkut, Valbona Zylyftari, apeloi institucionet vendore dhe qendrore për më shumë bashkëpunim për të menaxhuar situatën e zjarreve.

Valbona Zylyftari: Pavarësisht na detyron apo nuk na detyron ligji, të gjitha institucionet vendore dhe qëndrore duhet të jenë në ndihmë të njëri-tjetrit për të parandaluar, për të ndihmuar, për të eleminuar gjithë rrezikun që krijohet.

Ndërkohë Drejtori i Koordinimit me Prefekturat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bekim Murati, kërkoi angazhim me kapacitete të plota të shërbimit zjarrfikës. Sipas tij ky shërbim nuk disponon infrastrukturën e duhur për të përballuar situata të tilla.

Bekim Murati: Do të kërkoja angazhimin e të gjithë kryetarëve të bashkisë që ta marrin më seriozisht çështjen, sidomos për ata të bashkive të mëdha, që të ngrenë në këmbë strukturat dhe ti mbajnë në punë. Strukturën e shërbimit zjarrëfikës, por të tentojnë që të kemi dhe një sistem vullnetarësh.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i PMNZSH-ve, Alfred Kristuli, u shpreh: Janë mjete që operojnë vetëm në qytet, nuk janë mjete speciale për të operuar në sipërfaqet pyjore në terrene të thyera.

Në Qarkun e Beratit që prej muajit maj janë regjistruar 192 vatra zjarri, duke dëmtuar rreth 9 mijë rrënjë ullinj, 500 dru frutorë si dhe duke djegur rreth 450 hektarë me pisha e shkurre.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Turizmi, Prefekti ngre problemin e ujit, stafit mjekësor dhe kullat e rojës

Close