Bashkia e Tiranës nis sistemimin e personave në kushte rruge
05/01/2017 - 19:03

Pas ngritjes së shtabit të emergjencave, Bashkia e Tiranës ka nisur sistemimin e personave në kushte rruge drejt qendrave sociale.

Kjo masë e marrë do të shmangë pasojat e kushteve të këqija atmosferikë tek ata që flenë në mjedise të ndryshme publike.

Shumë prej tyre shtëpitë i kanë në qytete të tjera ose shumë larg nga qendra e qytetit, ndaj Bashkia e Tiranës ka zgjedhur që këto raste të veçanta t’i trajtojë me strehim provizor, deri në kalimin e temperaturave të ulëta.

Punonjës të Policisë Bashkiakë, me mjetet e tyre, kanë bërë shpërnguljen e personave në kushte rruge në disa prej qendrave sociale të Bashkisë së Tiranës. Më herët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, apeloi për vëmendje ndaj këtyre personave.

“Vëmendje të veçantë do ta kemi veçanërisht atyre që kanë nevojë më shumë mbështetje, që janë persona në kushte rruge, ata që janë të moshuar, pa një ndihmë dhe që jetojnë ndoshta të vetmuar, për faktin se jetojnë fëmijët në emigracion ose për rrethana të tjera”, tha Veliaj. Ai tha se duhet të sigurohemi që çdo qytetar i Tiranës është i sigurt dhe ka një strehë të ngrohtë kur të arrijë ky i ftohtë polar.

Ndonëse kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi që të gjithë personat të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ka nga ata të cilët edhe pse e kanë një të tillë, enden rrugëve. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion disa godinë që do të shërbejnë si qendër strehimi e përkohshme.

“Në rast nevoje ne do të përdorim të gjitha kopshtet, të gjitha shkollat, madje pallatin e sportit apo edhe konviktet tona të nxënësve dhe të studentëve, duke qenë se ende nuk ka filluar shkolla, konviktet i kemi ende në dispozicion. Do të jetë gjithashtu e hapur për të gjithë qytetarët, që i kap i ftohti në qendër të Tiranës, edhe kjo seli, Bashkia e Tiranës, zyra ime, zyra e Këshillit Bashkiak dhe të gjitha zyrat publike për këdo qytetar që moti i ftohtë e kap në rrugë dhe ka nevojë të fusi kokën diku për t’u ngrohur sa të kalojë vala e të ftohtit”, tha më herët Veliaj.

15871071_10210144300717531_958730915_n 15878651_10210144304477625_864671677_n 15879549_10210144302117566_1623414116_n 15934356_10210144304037614_1161109519_n 15934704_10210144302517576_1894258436_n

/Ora News/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close