Protesta e PD - Basha: Vettingu pas qeverisë teknike. Sulmon sërish Sorosin
21/04/2017 - 12:07

Lulzim Basha sulmon Ramën dhe ata që ai i quan “mercenarë të paguar nga Sorosi” se do të kapë drejtësinë.

Basha: Edi Rama bashkë me të paguarit të Xhorxh Sorosit në Shqipëri çfarëdo pasaporte të kenë, për një vit e gjysmë u përpoqën ta kapin drejtësinë dhe ta vënë nën kontroll të Edi Ramës. Kishte dy projekte për drejtësinë.

Ky ishte projekti i Edi Ramës dhe Xhorxh Soros dhe i paguar nga Xhorxh Soros, të kapnin drejtësinë dhe t’ia jepnin peshqesh investimit më të madh në Ballkan të Xhorxh Soros që është Edi Rama për pushtetin e tij dhe gjithë pjesa tjetër e qytetarëve dhe Partia Demokratike duan një reformë të vërtetë të drejtësisë. Partitë politike nuk mund të kenë pushtet mbi drejtësinë, për të garantuar gjyqtarë dhe prokurorë që nuk mbrojnë, por luftojnë dhe ndëshkojnë korrupsionin qeveritar.

Për një vit e gjysmë kjo betejë u luftua. Rama dhe mercenarët e tij të paguar nga Xhorxh Soros, opozita me qytetarët me arbitër Komisionin e Venecias, e fitoi totalisht betejën kushtetuese, duke diktuar në Kushtetutën e Shqipërisë një reformë në drejtësi sipas parimeve evropiane. Edi Rama i mbështetur nga mercenarët e paguar nga Xhorxh Soros shkatërroi këto marrëveshje dhe kaloi 6 nga këto 7 ligje pa konsensusin e opozitës.

Ligji për Vettingun, ligji për KLP dhe KLGJ dhe katër ligje të tjera janë bërë në shkelje të marrëveshjes politike me qëllimin e vetëm kontrollin politik të Edi Ramës mbi drejtësinë. Ndaj, ia përsëris sot atij dhe mercenarëve të Xhorxh Soros në Shqipëri se nuk kanë asnjë shans, që Partia Demokratike të bëhet alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama.

Basha tha se nuk ka nevojë të shtymë Vettingun pas zgjedhjeve.

Basha: Nuk ka nevojë të shtymë Vettingun pas zgjedhjeve. Jo, nuk ka nevojë. Menjëherë pas paktit kombëtar për qeveri teknike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Partia Demokratike dhe opozita është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj kushtetuese ligjore. Menjëherë, pa pritur zgjedhjet e ardhshme t’i hapim rrugë zbatimit të Vettingut, zbatimit të reformës në drejtësi.

 

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close