Fushata në Berat - Basha, Ramës: Ndal humorin e zi, me 25 qershor Rilindja dhe tepsia në Osum
19/06/2017 - 18:56

Në mitingun përmbyllës të fushatës në Berat, kreu i Partisë Demokratike e cilësoi rilindjen si katastrofën më të madhe kombëtare  në 27 vite.

Basha paralajëmroi Ramën të ndalë humorin e zi me hallet e shqiptarëve, pasi këta të fundit do të hedhin në Osum me 25 qershor Rilindjen bashkë me tepsinë.

Basha: Rilindja, katastrofa më e madhe kombëtare në 27 vite. Sot në fundin e saj, gjetën rastin Edi Rama bashkë me sejmenët e tij të bëjnë humor me hallet e shqiptarëve, të bëjnë humor të zi me një lojë të tmerrshme që po afekton fëmijët anembanë botës dhe që i shtyn drejt vetëvrasjes por harrojnë se këto katër vite numri i të vetëvrarëve nga rilindja është shtuar me 50%, se në vend të 300 mijë vendeve të punës çuan 300 mijë shqiptarë nga dëshpërimi jashtë Shqipërisë. Zbrazën Beratin, zbrazën Shqipërinë. Ndal humorit të zi Edi Rama, vëri fre gjuhës se me 25 qershor do të marrësh ndëshkimin popullor me votë. Nuk të lejoj të sillesh si klloun cirku nëpër Shqipëri dhe të pretendosh se ti nuk je autori i njëmijë e një të zezave dhe halleve që hoqi Berati dhe beratasit. Dëgjoje mirë Edi Rama zërin e këtij populli fisnik por të rebeleuar, në këmbë dhe të vendosur për ta hedhur në Osum tepsinë por edhe rilindjen bashkë me tepsinë. Kush i rriti taksat këto katër vite, kush rriti faturën e energjisë, çmimin e naftës, kush i mbushi institucionet me kriminelë, kush bënte pazare për pushtetin, kush mbylli qepenat e biznesit të vogël, kush bëri sikur ua uli taksat dhe pastaj i mbyti me gjoba biznesin e vogël, kush e la rininë e Beratit jashtë Universitetit?

Basha iu përgjigj dhe kritikave të Kryeministrit për planin ekonomik të PD-së.

Basha: Sot ka guximin të marrë në gojë të vetmin plan ekonomik që ka kjo fushatë, planin e PD, të ekipit tim fitues.Planin ekonomik që e mbështet Europa, Amerika, që ka nxjerrë këto vende nga kriza. Që ekonomia të rritet, taksat duhet të jenë të ulëta. Edi Rama nuk e di, nuk do t’ia dijë, kurrë nuk ka menduar për ekonominë por vetëm për timonin. Kjo merr fund me 25 qershor. Do të nisim së bashku punën e vërtetë.

Një koment kryedemokrati e pati edhe për ironinë e Ramës me pantallonat e tij.

Basha: Do të ikë me votën e bashkuar të Beratit dhe gjithë Shqipërisë. Do të ikësh Edi Rama, mos u kap kot pas pantallonave të mia se do të ikësh. Do largohesh me votën e shqiptarëve, askush nuk ti harron katër vite të shkatërrimit ekonomik, kolapsit në shëndetësi.

Ndërsa kanë mbetur 5 ditë fushatë, Basha tha se vëmendja do të përqëndrohet tek elektorati i pavendosur.

Basha: Na duhet që këtë javë ti drejtohemi atyre që nuk e kanë ndarë akoma mendjen dhe tu themi se ndryshimi është i qartë. Bardh e zi. Nga njëra anë kemi Edi Ramën që do të rrisë prapë taksat, nuk do rrisë pensionet por do mbjellë prapë palma. Nga ana tjetër kemi planin tonë ekonomik me vulat e ekspertëve gjermanë siç ua tha dhe këshilltari i kancelares Merkel një javë më parë. E vetmja mënyrë për rritjen ekonomike, që është ulja e taksave, stazhe për rininë, subvencione për fermerët dhe liri për sipërmarrjen e që krijon vende pune. Liri jo kërpaç, jo lakun tek fyti. Me këtë ndryshim janë bashkuar shumica dërmuese e shqiptarëve. Edhe 6 ditë frika juaj do marrë fund njëherë e përgjithmonë.Të heshturit e Beratit votoni numrin 6, votoni PD-në dhe ndahuni nga frika.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close