Parlament - Basha: Ruçi i mbylli gojën opozitës. Rama: Jo Parlament mejhane
12/10/2017 - 17:20

Ajo që dihet është që Rama dhe Basha nuk janë më në pozicionet e marrëveshjes së 18 majit dhe tani duket se atë e kanë lënë pas të dy.

Dy krerët e partive vijojnë përplasjet në parlament dhe jashtë tij.

Ndërprerja e seancës për shkak se deputeti demokrat nuk la sallën u bë sërish shkak që kreu demokrat të bëj thirrje për të marrë në dorë fatin e Kuvendit ku sipas tij ata që bashkëpunojnë me krimin kërkojnë t’i mbyllin gojën opozitës.

Basha thirri këdo, median, shoqërinë civile dhe faktorin ndërkombëtar ta mbështeste opozitën në këtë aksion

Basha: Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë një përsëritje të një parlamenti kukull në duart e krimit dhe mafies dhe kukullave të tij. Ne do të luftojmë dhe do t’i rikthejmë Parlamentin qytetarëve me të gjitha format që opozita ka në dispozicion dhe për këtë kërkojmë aleancë me qytetarët e ndershëm, medias së pa kapur, shoqërisë civile dhe natyrisht aleatëve ndërkombëtar.

Por për kreun e qeverisë është opozita ajo që nuk po pranon të bëj debat sepse sipas tij po bën të njëjtën gjë që bëri kur hyri dhe qëndroi në çadër për ditë me radhë. sepse opozita sipas Ramës nuk ka vizion.

Rama: Është rihapur çadra, është rivënë pllaka e gramafonit të parazgjedhjeve. Është një opozitë pa vizion, pa program, pa skuadër, pa përgjegjësi.

Rama i bëri thirrje jo vetëm PD por edhe LSI që e quajti motrën e vogël të dy palëve, ndoshta pse kjo parti tashmë drejtohet nga një femër.

Rama: Ky Parlament ka nisur të funksionojë dhe do vazhdojë të funksionojë, do apo nuk do PD-ja, bashkë me motrën tonë të përbashkët, LSI-në, do apo nuk do cilidoqoftë që ca për fajin e vet, ca për përgjegjësinë tonë u mësua me parlamentin mejhane.

Rama nuk ka mohuar përkundrazi e ka pranuar gjithë mollën e sherrit të debatit se për dhëmbë kushdo mund të nxjerr diçka që i del nga shpirti dhe ndoshta të njëjtën gjë ka bërë edhe ai kur ka thënë fjalën  i rrjedhur për ish kryeministrin Berisha.

Rama: Ju e dini shumë mirë, që edhe ju, në momente të caktuara, kur dëgjoni çudira, mund t’i thoni njëri-tjetrit “mos ke rrjedhur gjë?”

Në seancën e kësaj të enjte pritej të zhvillohej edhe debati për reformën zgjedhore. Një mbledhje dy ditore e qeverisë e thirrur për tu mbajtur në Vlorë në 13 dhe 14 tetor duket se do të shtyjë axhendën e kryeministrit Rama me disa orë.

Pjesë të tjera nga deklaratat e Bashës: 

Basha: Ne nuk qeverisemi nga një qeveri e dalë nga vota por qeverisemi nga bandat që e sollën Edi Ramën dhe kabinetin e tij në ato karrige. Nuk ka dëshmi më të qartë se kjo. Nuk ka asnjë arsye Gramoz Ruçi të shkelë rregulloren përveç se ankthit të Edi Ramës për t’u përballur me të vërtetën.

Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë një përsëritje të një parlamenti kukull në duart e krimit dhe mafies dhe kukullave të tij. Ne do të luftojmë dhe do t’i rikthejmë Parlamentin qytetarëve me të gjitha format që opozita ka në dispozicion dhe për këtë kërkojmë aleancë me qytetarët e ndershëm, medias së pa kapur, shoqërisë civile dhe natyrisht aleatëve ndërkombëtar.

Ky është fundi i Parlamentit t’i mbyllësh gojën opozitës. Kemi dy javë që nuk na lejohet debati. Ta zëvendësosh debatin publik me frontin popullor, kjo nuk mund të ndodhë. Asgjësimi i debatit parlamentar do të çojë në krizën më të rrezikshme të demokracisë në 27 vite. Ne duam me çdo kusht ta evitojmë këtë krizë.

Ne duam me çdo kusht që t’i evitojmë Shqipërisë koston e një përplasjeje, por ajo është e pashmangshme në qoftë se Edi Rama dhe masha e tij Gramoz Ruçi një kurs përplasje me aspiratat e shqiptarëve për një vend të lirë nga krimi ku mund të jetohet me taksa të ulëta.

/Ora News.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Debates in parliament, assembly speaker excluded DP mp Noka for 10 days

Close