Kukës - Basha në zonat e goditura nga ngrica: Rama të shpallë emergjencën
10/01/2017 - 19:39

Nga Kukësi, ku u njoh nga afër me situatën e krijuar si pasojë e motit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i kërkoi qeverisë të shpallë gjendjen e emergjencës. Sipas Bashës, kryeministri Rama dështoi në menaxhimin e kësaj situatë ku e akuzoi atë si përgjegjësin kryesor se përse shumë familje vijojnë të jenë të izoluara si pasojë e dëborës dhe ngricave.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i ka kërkuar kryeministrit Rama që të shpallë gjendjen e emergjencës. Nga Kukësi, ku pa nga afër situatën e krijuar si pasojë e motit të keq të ditëve të fundit, Basha tha se gjendja është e rënduar dhe qeveria nuk ka bërë asgjë për ta përmirësuar atë.

Basha: Kryeministri të shohë gjendjen në terren. Banorët janë të izoluar dhe në errësirë. Kërkohet një angazhim më i madh nga qeveria. Por qeveria nuk e merr përsipër emergjencën. Shpreh mirënjohjen më të thellë dhe keqardhjen gjithashtu, për punonjësit e OSHEE të cilët punojnë në kushte ekstreme, ku shpëtohen nga banorët kur rrezikojnë dhe jetën. Kjo tregon se nuk është investuar në këto 3 vite. Qeveria ia ka lënë barrën bashkive, por duhet të kthejë sytë kendej sepse emergjenca nuk ka kaluar. Kjo është një gjendje emergjence, dhe qeveria nuk përgjigjet sic i takon, duke shpallur emergjencën.

Kritik me qeverinë Basha u shpreh edhe për çmimin e druve që sipas tij kanë shënuar record në këto ditë të ftohta.

Basha: Regjimi për drutë e zjarrit është ndëshkues. Kam qënë në kontakt me qytetarët dhe këshilltarët bashkiakë. Bashkitë nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga qeveria qendrore, ia kanë dalë të vetme. Puna në Kukës është për t’u lavdëruar. Këto janë ditë të vështira me mungesë energjie. Ngrohja dhe problemet me energjinë elektrike janë halle të mëdha që janë ngritur nga të gjithë qytetarët, të majtë, të djathtë, pa dallim. Ndërkohë, kamionët e qeverisë ngarkohen me dru dhe qytetarët ndëshkohen për shkurre. Situata është rënduar në gjithë vendin. Cmimi i latave të druve në Korcë, Ersekë, Përrenjas, Dibër, Kukës, Has, Tropojë, Malësi e Madhe, Dukagjin, Shkodër, këtu në Kukës, është dyfishuar, nga 20 mijë lekë, në 40 mijë. Në Korcë nga 35 mijë lekë, në 70 mijë. Dy problemet më të mëdha pra sot për njerëzit janë cmimi i lartë i druve dhe mungesa e energjisë elektrike.

 

Kukësi është një prej qarqeve më të prekura nga temperaturat e ulëta dhe ngricat.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Prezantohen kandidatët në Kukës, Kodheli: Do zgjidhim nevojat e banorëve

Close