Zgjedhjet e 18 qershorit - Opozita kushtëzon çdo veprim, me avancimin e kodit zgjedhor
11/01/2017 - 14:01 Nga: Everest Dedaj

Opozita do të kushtëzojw çdo veprimtari parlamentare ose jo, me avancimin e reformës zgjedhore. Kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas një takimi me aleatët ,  ku u dakordësuan për një platformë të plotë për garantimin e standarteve në zgjedhjet e 18 qershorit. Basha, ripërsëriti si kusht votimin dhe numërimin elektronik, ndërsa shprehu mbështetjen për  listat e hapura.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, mblodhi aleatët parlamentarë, nga ku dolën  me  qëndrim të unifikuar për  garantimin sipas tij të standardeve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.  Basha tha se procesi është në rrezik, pasi kryeministri Edi Rama ka mobilizuar bandat.

Basha: Në këto zgjedhje nuk mund të vendosë varfëria dhe korrupsioni qeveritar përmes shitblerjes së votës, por do të vendosë vullneti i qytetarëve.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj tha Basha kanë vendosur të kushtëzojnë çdo veprimtari tjetër  me garantimin e  zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Basha: Opozita do të kushtëzojë çdo veprim të mëtejshëm me çuarjen përpara të reformës zgjedhore, e cila jep qytetarëve fuqinë për të vendosur qeverisjen e ardhshme, qytetarëve dhe jo kriminelëve, vullnetit  të tyre dhe jo varfërisë që dikton shitblerjen.

Por cila është platforma që sipas Bashës dhe aleatëve të tij, garanton standardet zgjedhore.

Basha: Votimin elektronik dhe numërimin elektronik, reformën e financimit të partive, kufizimin e shpenzimeve në fushatë, barazinë në aksesin mediatik, mospërdorimin eburimeve të shtetit në kundërshtim me ligjin dhe një sërë aspektesh të tjera.

Basha komentoi dhe ankimimin e ligjit të dekriminalizimit në Gjykatë Kushtetuese duke e cilësuar si anëtarët që po i behet demokracisë.

Basha: Ky do të ishte një atentat i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë. Jam i sigurtë që është një përpjekje që do të dështojë me turp.

Kryetari i Partisë Demokratike, u shpreh publikisht pro listave të hapura për deputetë dhe çdo sistemi që vendim marrjen ia delegon qytetarëve,  duke propozuar dhe  sanksionim  në ligjin zgjedhor që kandidatët të zgjidhen nga anëtarësitë e partisë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close