Takimi - Basha mbledh aleatët për protestën, PD: Nuk ka orar përfundimi
17/02/2017 - 11:55

Një ditë përpara protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me aleatët e opozitës.

Të pranishëm janë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ai i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, atë të LZHK-së, Dashamir Shehi, i PDK-së, Nard Ndoka, etj.

Ndërkohë, Partia Demokratike në një deklaratë të shkurtër mbi protestën e nesërme, thekson se ajo do të nisë në orën 12 dhe nuk ka orar të përcaktuar përfundimi.

Partia Demokratike hedh poshtë çdo insinuatë të dalë në media “me burime anonime, sikur do të ketë skenar për të provokuar policinë”.

Gazetari i Ora News, Everest Dedaj tha se nuk ka ende një vendim nëse turma e protestuesve do të qëndrojë vetëm përpara kryeministrisë.

Ajo çka është sigurt, janë takimet intensive të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të dalë në fund me një skenar të qartë për protestën. Basha, gjatë ditës së nesërme do të dalë me një grup të rinjsh nga pedonalja për t’iu bashkuar protestës.

Nga ana tjetër, deputetët e Partisë Demokratike janë porositur nga kryetari Basha që të shoqërojnë autobusët me protestues nga rrethet. Secili deputet është zhvendosur në zonën e vet elektorale. Nga burimet brenda PD-së, pritet që të ketë një protestë të madhe. Protesta pritet të zgjasë përtej fjalimeve politike.

Në një reagim në Facebook, kreu i PD-së, Basha thotë se protesta e së shtunës është bashkimi më i madh i qytetarëve kundër padrejtësisë, ndërsa thekson se nga ky bashkim i madh kanë frikë vetëm ata që duan t’i mbajnë shqiptarët të nënshtruar.

Basha: Ndaj kane filluar te shpifin e të gënjejne për protestën. os i besoni tamtamet e qeverisë, mos i besoni ata që kanë katër vjet që ju gënjejnë për punësimin, për shëndetësinë falas, për mirëqenien tuaj. Ejani në protestë bashkë me familjarët tuaj, siç do bëjmë të gjithë. Forca jonë nuk është dhuna, por bashkimi, kurajo dhe ëndrrat që kemi për të ardhmen. 

Ndërkohë, Partia Republikane ka mbledhur strukturat e saj drejtuese në kuadër të përgatitjes së protestës së paralajmëruar më 18 shkurt.

Gjatë fjalë të mbajtur në këtë takim, Mediu shprehu emergjencën për një aksion të organizuar politik dhe shoqëror për të larguar qeverinë Rama-Meta, “e cila e ka futur vendin në një spirale korrupsioni dhe kriminaliteti, duke i dhënë pushtetin bandave dhe duke i vënë shkelmin qytetarëve”.

Mediu: Detyra jonë kryesore si opozitë është që të kërkojmë dhe të realizojmë reformën zgjedhore, e cila do të garantojë një proces zgjedhor të ndershëm, do të kthejë besimin e qytetarëve të vota e lirë, do të ndalë trafikimin e votës dhe do të bllokojë kapjen e zgjedhjeve nga bandat.

/Ora News/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Vajza shkon në shkollë me protezë në këmbë, shokët e presin të lumtur

Close