Lushnje - Autori i atentatit, vjet tentoi t’i vriste nipin Aldo Bares
12/10/2017 - 13:52

Policia e shtetit tha të enjten se autorët e dyshuar të kësaj ngjarje ku mbetën të plagosur edhe dy persona, janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, të dy me precedentë penalë të mëparshëm. Në vendin e krimit të dyfishtë u gjetën më shumë se 40 gëzhoja dhe një armë tip pistoletë që dyshohet se i përkiste viktimës Zamir Latifi.

Sipas hetimeve, dyshohet se Orges Bilbili ka drejtuar makinën e autorëve ndërsa Laert Haxhiu ka qëlluar me armë.

Hetuesit kanë zbardhur edhe motivin e atentatit që ndodhi të mërkurën pranë komisariatit të Lushnjes në lagjen “Loni Dhamo”.

“Nga analiza e informacioneve që ka mbledhur grupi hetimor, rezulton se ngjarja e djeshme ka lidhje me krimin e datës 25.09.2016 ndodhur në qytetin e Lushnjes ku është tentuar të vriten me armë zjarri 2 shtetas”, bën me dije policia, duke iu referuar plagosjes së Xhulio Shkurtit një vit më parë, mik dhe i afërm i dy të vrarëve në atentatin e të mërkurës, 11 tetor 2017.

Identifikimi i dy të dyshuarve Laert Haxhiu e Orges Bilbili, të shpallur tashmë në kërkim, është bërë pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në vendin e quajtur  “Kryqëzimi i Urës së Përroit” pasditen e të mërkurës. Hetuesit kanë zbuluar prova me vlerë edhe në makinën tip Benz, e përdorur nga autorët, cila u gjet e djegur rreth orës 19:15, në parcelat e fshatit Çukas, në krahun e majtë të rrugës nacionale Lushnje-Berat. Në makinë u sekuestruan 3 armë zjarri dhe një fishek i paplasur.

Laert Haxhiu sipas policisë, ka qenë i dyshuar për plagosjen e shtetasit Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili i shpëtoi atentatit në shtator 2016.

Haxhiu është dënuar në mungesë me 35 vjet burg për vrasjen e shtetasit Gerti Lala, me nofkën “Iriqi” (ne foto) i  vrarë  në vitin 2009.

Pas këtij krimi Laert Haxhiu u lirua nga burgu në fund të vitit 2014-ës, por u arrestua sërish në Qershor të vitit 2015 me akuzat për trafik heroine gjatë operacionit të koduar me emrin “Smart”.

Ne foto: Gerti Lala i vrare ne 2009

/Oranews.tv/ 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Atentat me armë në Lushnje, dy të vrarë e dy të plagosur

Close