Flasin Gjata dhe Boçi - A u rritën tarifat e studimit për studentët gjatë qeverisjes Rama?
15/04/2017 - 20:57 Nga: Florinda Merko

Në prag të miratimit të kuotave për vitin akademik 2017-2018, Universiteti i Mjekësisë po përgatitet të kërkojë një shtim të tyre çka sipas rektorit Arben Gjata do të sjellë edhe më shumë të ardhura për Universitetin. Por për drejtuesin e Departamentit të Arsimit në PD, Luçiano Boçi, në 4 vite qeveria ka rënduar xhepat e studentëve duke i detyruar ata të braktisin shkollën.

Universiteti i Mjekësisë ka kërkuar shtim të kuotave për vitin e ri akademik si pasojë e nevojës për mjekë, infermierë e farmacistë në vend.

Rektori i këtij Universiteti, Arben Gjata, thotë se përmes shtimit të kuotave do të rriten edhe të ardhurat në buxhetin e fakulteteve.

Gjata: Kemi propozuar që të rriten kuotat e pranimit në Universitetin tonë, qoftë për shkak të nevoja që ka popullata dhe publiku për profesionet e shëndetit siç janë mjekë, infermierë, farmacistë, stomatologë etj. Pra kemi propozuar që të rriten kuotat dhe rritja e këtyre kuotave mund të bëjë që të rriten gradualisht dhe të ardhurat e Universitetit.

Sipas Gjatës prej vitit 2014, në Universitetin që ai drejton nuk ka patur rritje të tarifave studimore.

Gjata: Të paktën që nga viti 2014 ne nuk kemi pasur asnjë rritje tarife. Tarifat e studimit kanë qenë të njëjta në të gjithë degët e Universitetit, në të gjithë programet që ne ofrojmë.

Por të kundërtën thotë drejtuesi i Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, deputeti Luçiano Boçi, i cili akuzon qeverinë se ka rritur tarifat e arsimit dhe shumë studentë në pamundësi për të paguar kanë braktisur studimet.

Boçi: Lëvizja ka qenë nga 40%, në degë të caktuara dhe dyfishim të tarifës. Kjo ka bërë që një pjesë e madhe të jetë në vështirësi pagese dhe të ketë bërë dhe shtyrjen e tarifave, një pjesë e studentëve për këtë arsye kanë ndërprerë dhe studimet e tyre.

Për vitin e ri akademik 2017-2018 nuk kanë dalë ende tarifat studimore, të cilat sipas ligjit të ri të arsimit të lartë përcaktohen nga vetë Univeristetet.

 /Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close