Waymo, teknologjia vetë-ngarëse e ofruar nga Google
14/12/2016 - 15:32 Nga: Xhoi Zajmi

Projekti Alphabet Inc. i Google për makinat e pavarura, ka marrë tashmë emrin Waymo, një entitet i pavarur brenda gjigandit teknologjik, teksa ekzekutivët thonë se kompania është shumë pranë sjelljes në jetë të ngarjes autonome për publikun.

Kjo lëvizje sinjalizon dëshirën për të konkretizuar hulumtimin e çmuar të kompanisë, në një kohë të konkurrencës së fuqishme mes rivalëve që po përpiqen të jenë të parët që do të hedhin në treg makinat vetë-ngarëse. Programi me profil të lartë i Google, tashmë në vitin e tij të shtatë, ka qenë në pararojë të teknologjisë vetë-ngarëse, por tashmë, sfidohet nga kompani si Uber Technologies dhe Apple dhe të tjera kompani tradicionale makinash, në këtë industri që po rritet shpejt. John Krafcik, shefi ekzekutiv i Waymo, në një konferencë për shtyp në San Francisco u shpreh se ky është një tregues i pjekurisë së teknologjisë së kompanisë. Sipas tij, kjo lëvizje tregon besimin se kompania është shumë pranë mundësimit të kësaj teknologjie për shumë njerëz. Kjo deklaratë e tij erdhi në tetor 2015, kur makinat autonome të kompanisë kryen edhe udhëtimin e parë të pavarur në Austin, Texas. Në këtë test mori pjesë Steve Mahen, një burrë i verbër, i cili ishte tërësisht i vetëm në makinë. Zakonisht gjatë një testimi, një inxhinier ulet në ndenjësen e pasagjerit për të monitoruar teknologjinë.

“Herën e parë që u ula në një nga këto prototipe, më pëlqeu fakti se nuk kishte një timon dhe pedale. Për shumë kohë, kam menduar se ta heqësh njeriun nga laku ishte drejtimi i duhur që duhet të merrnim. Nëse makina është e aftë të më çojë në vende të ndryshme, lëreni që ajo ta bëjë këtë gjë e vetme.”

“Makinat janë të rehatshme, ngiten mirë, ndihen mirë në rrugë dhe janë të këndshme.”

Deri më tani, programi ka qenë pjesë e njësisë të kërkimit sekret Google X. Waymo nënkupton “një rrugë të re progresi në lëvizshmëri”, sipas interpretimit të dhënë nga Krafcik. Sipas tij, ata do të zbulojnë së shpejti se kur teknologjia do të jetë gati për prodhim. Krafcik ritheksoi se Waymo nuk ka interes në prodhimin e makinave autonome, por në zhvillimin e teknologjisë së ngarjes së tyre. aplikime të mundshme mund të jenë në transport, logjistikë dhe përdorim personal të mjeteve, sipas Krafcik. Fiat Chrysler, partneri i parë i Google, u bashkua me kompaninë teknologjike në maj për të punuar dhe për të integruar sistemin vetë-ngarës të Google në 100 nga minifurgonët e prodhuesit të makinave.

Qëllimi i Google për të perfeksionuar një makinë autonome që nuk ka aspak nevojë për ndërhyrjen njerëzore, qëndron në kontrast me atë të disa prodhuesve të tjerë të makinave, që zhvillojnë pavarësi të pjesshme, ku kërkohet edhe mbikëqyrja e shoferit. Makinat vetë-ngarëse të Google kanë udhëtuar mbi 2 milionë milje dhe testimet tashmë fokusohen tek skenarët më të ndërlikuar me të cilat përballen makinat në rrugët e përditshme.

Google e ka zgjeruar programin e vetë përgjatë vitit të kaluar, duke punësuar më shumë inxhinierë dhe duke dyfishuar qendrat e testimit nga 2 në 4 të tilla në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse ka patur largime të rëndësishme gjatë vitit të kaluar, të punësuarit e rinj të projektit janë siguruar për gatishmërinë e programit për të kaluar përtej fazës eksperimentale. Në korrik, projekti caktoi këshillin e tij të parë të përgjithshëm, dhe një muaj më vonë, Shaun Stewart erdhi në detyrë si drejtor i projektit, me mandatin për të hedhur në treg teknologjinë e vetë-ngarjes së kompanisë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
ALUIZNI i vë shtëpinë në emër të vëllait, BOOM zgjidh problemin

Close