Samsung zbulon Galaxy S8, Ja si duket smartphone më i përfolur i momentit
30/03/2017 - 14:05

 Samsung Electronics zbuloi modelin Galaxy S8 teksa kompania përpiqet të rifitojë zotërimin e tregut të smartphoneve pas tërheqjes së turpshme të Galaxy Note7. I shumëprituri Galaxy S8 është i pari celular i gjigandit koreano-jugor të teknologjisë pas incidentit me Note7 tetorin e kaluar, që solli plot 5.48 miliardë dollarë humbje për Samsung. Modeli i ri ka një ekran shumë herë më të madh se modele të mëparshëm të kompanisë apo edhe të tjerë smartphone.

Dy versione të smartphone-t u publikuan në një event për mediat në Nju Jork, me ekrane 15.75 cm (Galaxy S8 Plus) dhe 14.7 cm (Galaxy S8) – më të mëdhenjtë deri më sot për kompaninë Samsung.

Pavarësisht vështirësive që ka kaluar Samsung, modeli i ri S8 premton të jetë një shkëputje tërësore nga zhgënjimi me Note7, duke hapur kështu një kapitull të ri për kompaninë. Përgjigja e klientëve dhe kapaciteti prodhues i Samsung do të jenë vendimtarë në suksesin ose jo të smartphone-t të ri. Një pjesë të rëndësishme të këtij suksesi pritet ta zërë edhe jetëgjatësia e baterisë.

Smartphone pritet të dalë në shitje në 21 prill. Krahasuar me paraardhësit e tyre, Galaxy S8 është më i gjatë dhe Samsung ka eleminuar thuajse të gjithë bordurat e mundshme për të maksimizuar sipërfaqen e ekranit. Kamera e pasme e aparatit është 12 mekapiksel. S8 mund të njohë fytyrën tuaj falë teknologjisë së plotë biometrike, ndërkohë që modeli ka edhe një lexues të gjurmëve të gishtërinjve në pjesën e pasme. S8 është rezistent ndaj ujit, deri në 30 minuta dhe në 5 metra thellësi, mëse e mjaftueshme për ata që do të duan të bëjnë fotografi edhe në pishina.

S8 përmban edhe shërbimin e ri të inteligjencës artificiale nga Samsung, Bixby, me funksione që përfshijnë një sistem të ngjashëm me Siri-n e Apple. Bixby do të jetë i aftë t’i përgjigjet pyetjeve që ju bëni, por Samsung ka shpjeguar se sistemi do të ndryshojë nga Siri. Fillimisht, funksionet e tij pritet të jenë të limituara, por gjatë kohës ato do të zgjerohen, në sajë edhe të bashkëpunimit të Samsung me të tjera shërbime e kompani. Analistët e kanë quajtur Bixby “lajmërimin më të rëndësishëm” në historinë e Samsung.

Gjigandi elektronik koreano-jugor gjithashtu zbuloi edhe një karakteristikë të re të quajtur Dex. Është një pajisje që do ta kthejë smartphone-n tuaj në një kompjuter personal, që do të funksionojë me sistemin operues të Android, të optimizuar për një ekran më të madh. Modeli i ri mbështet edhe Gear VR, platformën e realitetit virtual të kompanisë, ndër platformat më interesante të këtij lloji për momentin.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Vajza shkon në shkollë me protezë në këmbë, shokët e presin të lumtur

Close