Rikthehet Nokia 3310
03/03/2017 - 11:46 Nga: Xhoi Zajmi

Biznesi celular i rijetësuar i Nokias, i çoi të gjithë pjesëmarrësit e Kongresit Botëror të Telefonisë në të shkuarën, me prezantimin e versionit me ngjyra të Nokia 3310, aparati celular më i famshëm në botë në vitin 2000.

Modeli i ri ka ekran më të madh se origjinali dhe kushton vetëm 49 euro. Fuqia dhe qëndrueshmëria e tij e bëjnë këtë celular akoma edhe më tërheqës.

“Fansat e kanë kërkuar dhe ne vendosëm, le të zbavitemi. Më lejoni të riparaqes Nokian ikonike 3310. Ka 22 orë kohë bisede. Kjo është 10 herë më shumë se origjinali. Një muaj kohë gatishmërie… Ka snake-un dhe ka zilen e Nokias,” u shpreh Arto Nummela, drejtor ekzekutiv i HMD.

Analistët e vlerësuan hedhjen në treg të Nokias si një hap tepër të zgjuar, por që mund të lërë në errësirë publikimet e tjera të kompanisë finlandeze, e cila rihyn në tregun e smartphone, me modele që kushtojnë nga 139 deri në 299 euro.

“Zonja dhe zotërinj, Nokia 6… ka një formë shumë të spikatur dhe të sigurtë, me një xham të skalitur përsosmërisht. Nëse kërkoni një eksperiencë gjithëpërfshirëse argëtuese, ju rekomandoj Nokia 6. Ka një panel 5.5 inç, të ndritshëm, tërësisht HD, që e kemi laminuar me xhamin e skalitur, bashkë me përmirësime për lexueshmërinë në diell. Mund t’i besoni këtij ekrani qoftë nëse jeni në plazh, qoftë këtu në dhomën e konferencave,” shpjegoi Juho Sarvikas, zyrtar i prodhimit global në HMD.

Dikur një lider në prodhimin e telefonëve, në 2014 Nokia u ble nga Microsoft për 7 miliardë dollarë. Vitin e kaluar, kompania ju rikthye tregut të telefonisë duke ia licensuar pajisjet kompanisë HMD Global, që gjithashtu prezantoi edhe 2 versione të tjera të smartphone-ve që funksionojnë me platformën e Google Android.

“Nokia 5 ka një ekran njëtrajtësisht të gjallë e të ndritshëm, por tani me një formë 5.2 inç. Ajo që e bën Nokia 5 kaq unike është se ne kemi krijuar një formë perfekte 3D nga një bllok prej 6.000 shtresash alumini. Ka fuqinë që ju prisni nga Nokia, kombinuar me një karakter shumë njerëzor.”

“Ju paraqes Nokia 3… ky celular kushton vetëm 139 euro. Ashtu si vëllezërit e tij Nokia 6 dhe 5, Nokia 3 është krijuar nga një bllok i vetëm prej 6.000 shtresash alumini.”

HMD duket se është e dyjëzuar sa i përket ri-hedhjes në treg të versionit 3310, pasi ringjallja e këtij produkti, mund të rrëmbejë vëmendjen nga strategjia e ardhshme e Nokias, që përqëndrohet tek smartphone-t. HMD ka të drejtën e distribuimit të të gjitha produkteve Nokia për 10 vitet e ardhshme.

Kompania e paguan Nokian për markën dhe patentën, por Nokia nuk ka investim të drejtpërdrejtë në HMD.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close