Pse duhet të blini një iPhone X dhe sa kushton
13/09/2017 - 14:21

Gjigandi teknologjik Apple prezantoi 3 modelet më të fundit të iPhone në një event në Cupertino, Kaliforni, për të shënuar kështu 10-vjetorin e linjës së smartphone-ve.

Me një kamera të re, komponentë të tjerë hardware dhe software të ri, modelet iPhone 8 dhe 8 Plus do të sjellin shërbime të përmirësuara, foto me cilësi më të lartë, më shumë video e lojëra si dhe teknologjinë e realitetit virtual.

Kompania gjithashtu prezantoi edhe iPhone X, që ndryshe nga paraardhësit e tij, vjen i pajisur me sensorë për njohjen tre-dimensionale të fytyrës.

Tjetër risi e këtij telefoni është edhe karikimi shumë herë më i lehtë, falë një pllake pa tela që kryen këtë funksion.

Në ndryshim nga iPhone-t e mëparshëm, modeli X nuk ka butonin fizik “home”, ndërkohë që ekrani shtrihet në të gjithë madhësinë e telefonit.

Ndërkohë që përdoruesit bisedojnë me miqtë në iPhone X, ata kanë mundësinë të përdorin ikona të animuara të njohura si emoji për të imituar shprehjet e fytyrës e për ta bërë bisedën më interesante.

iPhone 8 dhe 8 Plus do të ofrohen për çmime që nisin nga 699 dhe 799 dollarë respektivisht, ndërkohë që modeli X fillon nga 999 dollarë.

Pavarësisht çmimeve të kripura, smartphone-t e rinj pritet të sjellë rritje në fitimet e kompanisë, të cilat kanë rënë për shkak të konkurrencës me të tjerë smartphone.

Sidoqoftë, iPhone mbetet një lider në industrinë teknologjike dhe është aktualisht produkti më i shitur i kompanisë.

Përveç modeleve të reja të iPhone, gjigandi teknologjik prezantoi edhe orën e re Apple Watch dhe Apple TV.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Masa yndyrore sa 11 autobusë nën Londër

Close