Eksperimenti i mbijetesës - Kina teston teknologjitë e ardhshme të eksplorimit hapësinor
14/12/2016 - 15:33 Nga: Xhoi Zajmi

Kina po teston teknologjitë e ardhshme që do të mbështesin projektet e vendit, sa i përket eksplorimit të hapësirës. Katër vullnetarë janë tashmë në përfundim të njërit prej eksperimenteve, për të parë nëse bimët mund të rriten në një kapsulë të mbyllur hapësinore, duke u fokusuar kështu në rigjenerimin e ushqimit në ekosisteme të kontrolluara. Të dhënat e këtij eksperimenti do të lejojnë shkencëtarët të dalin në konkluzione më të qarta mbi mundësinë e zhvillimit të jetës në hapësirë.

Katër vullnetarë kinezë të cilët kanë jetuar në një kapsulë të mbyllur hapësinore në provincën jugore të Guangdong, për të testuar teknologjitë që mbështesin projektet e ardhshme të eksplorimit hapësinor të Kinës, janë tashmë pranë përfundimit të eksperimentit të tyre 180 ditor të mbijetesës. Sidoqoftë, ekspertët thonë se eksperimenti në Shenzhen, do të vijojë edhe për një tjetër muaj, dhe bimët e përdorura në kapsulë, do të mbikëqyren vazhdimisht për të mbledhur më pas të dhëna. Qëllimi i vullnetarëve të këtij eksperimenti ka qenë fokusi në rigjenerimin e ushqimit në ekosisteme të kontrolluara, që është varur në rritjen dhe mbajtjen e një numri të madh bimësh brenda kapsulës. Një total prej 25 bimësh, përfshi, grurin, sojën, patatet dhe domatet, u mbollën në katër nga tetë ndarjet e kapsulës eksperimentale.

“Kjo është kapsula e katërt e bimëve. Kemi rritur domate qershi dhe luleshtrydhe në të. Bimët e tyre ishin vetëm fara shumë të vogla kur i mbollëm në fillim, por tashmë, ato janë kudo,” shpjegon Zhang Liangchang, drejtues i eksperimentit të mbijetesës.

Për shkak të cikleve të ndryshme të jetës dhe periudhave të kultivimit, bimët do të qëndrojnë në kapsulë edhe për 30 ditë të tjera pas largimit të vullnetarëve. Simuluesit e metabolizmit njerëzor do t’i lejojnë shkencëtarëve të mbledhin më shumë të dhëna të plota.

“Simuluesit e metabolizmit njerëzor do të simulojnë vazhdimësinë e frymëmarrjes njerëzore në kapsulë për rritjen e bimëve. Disa prej tyre do të çelin më vonë dhe ne do të mbledhim të gjitha të dhënat përpara se të përfundojmë eksperimentin,” shpjegoi Yu Qingni, drejtore teknike e këtij eksperimenti.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
“Mbretëresha” greke e trafikut kapet me 392 kg kanabis

Close