Aplikacionet për mbrojtjen e informacionit të përdoruesve
13/12/2016 - 22:38

Aplikacionet më të përdorshme për shkëmbim mesazhesh dështojnë në mbrojtjen e informacionit të përdoruesve.

Sipas organizatës “Amnesty International”, aplikacionet më të përhapura për të komunikuar nuk ofrojnë mbrojtjen e duhur të informacioneve dhe privatësisë. Skype-i dhe Snapchat-i janë në mesin e emrave të njohur që kritikohen për probleme me sigurinë e informacioneve të përdoruesve të tyre.

“Amnesty International” analizoi 11 aplikacionet më të njoura të komunikimit dhe gjeti variacione të mëdha me sigurinë. Më mirë dolën “Facebook Messenger” dhe “WhatsApp”. “Për shembull, në WhatsApp, aplikacioni përdor një sistem të fortë kodimi dhe i informon përdoruesit se si e mbron informacionin” thotë Sherif Elsayed-Ali, i “Amnesty International”.

Nga ana tjetër, “Skype” në pronësi të Microsoftit dhe “Snapchat”, dolën keq.

“Ato nuk përdorin sistem kodimi nga fillimi në fund, ç’ka do të thotë që vetëm dërguesi dhe pritësi mund ta lexojnë mesazhin”, thotë Elsayed-Ali. “Snapchat” e kundërshton këtë vlerësim të “Amnesty International” dhe thotë se privatësia dhe siguria janë vlerat bazë të kompanisë.

Microsofti i tha Zërit të Amerikës përmes një deklarate se “Skype përdor një sistem të koduar dhe një sërë teknikash të tjera sigurie, dhe se aplikacioni e mbron privatësinë e përdoruesve me akte ligjore dhe rregulla dhe i njofton konsumatorët kur merr kërkesa nga qeveria për të dhënat e tyre”. “Amnesty International” thotë se nuk është vetëm privatësia në rrezik.

“Gazetarë në të gjithë botën përpiqen për të zbuluar raste korrupsioni dhe abuzime nga qeveria. Ka aktivistë që i rezistojnë shtypjes në vendet e tyre. Dhe qeveritë e tyre i kërkojnë ata në mënyrë aktive, madje dhe përpiqen të gjejnë informacion për të ndërprerë punën e tyre dhe shpesh i përndjekin ose edhe i burgosin” thotë zoti Elsayed-Ali. Makinat dhe gjithnjë e më shumë edhe pajisjet shtëpiake, po lidhen me internetin, me të ashtuquajturin “Interneti i Gjërave”.

“Do të ketë sensorë kudo. Mbase dhjetëra, ose qindra milionë sensorë në shtëpitë tona, në qytetet tona. Që do të na monitorojnë gjatë gjithë kohës. Dhe nëse ne nuk e mbrojmë privatësinë tani, nuk do të ketë privatësi në të ardhmen” shton ai. Nga aplikacionet e analizuara, më keq doli firma kineze Tencent, e cila ka në pronësi aplikacionet “WeChat” dhe “QQ”./ATA/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Bllokohet kufiri më i madh në botë

Close