1 miliardë llogari të Yahoo janë vjedhur nga piratët kompjuterikë
15/12/2016 - 15:31

Gjigandi i internetit Yahoo, ka pranuar se rreth 1 miliardë llogari të përdoruesve të saj, mund të kenë rënë pre e një sulmi kibernetik në vitin 2013. Vetëm në shtator, kompania pranoi se 500 milionë llogari ishin vjedhur në 2014, por duket se këtë herë, dëmi i kryer është edhe më i madh se ç’mund të imagjinohej. Yahoo po bashkëpunon me autoritetet për të zgjidhur këtë çështje, ndërkohë që aksionet dhe vlera e kompanisë janë gjithnjë në rënie.

Yahoo është shprehur se më shumë se 1 miliardë llogari të përdoruesve të saj mund të jenë prekur gjatë një sulmi kibernetik që daton në vitin 2013. Gjigandi i internetit tha se ky sulm duket të mos ketë lidhje me atë të kryer në vitin 2014, sulm që doli në dritë vetëm në shtator të këtij viti, kur Yahoo zbuloi se 500 milionë llogari kishin rënë pre e piratëve kompjuterikë. Emra, numra telefoni, fjalëkalime dhe adresa emaili janë vjedhur, ndërkohë që kompania shton se të dhënat bankare të pagesat kanë mbetur të paprekura. Yahoo, e cila është në proces blerjeje nga Verizon, tha se po bashkëpunon ngushtësisht me politinë dhe autoritetet për të zgjidhur këtë çështje. Kompania beson se një palë e tretë e paautorizuar, ka vjedhur të dhëna në gusht 2013, të lidhura me më shumë se 1 miliardë llogari përdoruesish. Këta të fundit u këshilluan të ndryshonin fjalëkalimet e tyre dhe pyetjet e sigurisë. Sipas kompanisë me bazë në Kaliforni, Yahoo ka më shumë se 1 miliardë përdorues aktivë çdo muaj, edhe pse shumë prej tyre mund të kenë disa llogari. Ka gjithashtu llogari që përdoren pak ose aspak.

Ekspertë të sigurisë thonë se ky është sulmi më i madh kibernetik deri më tani. Ndërkohë, Yahoo hedh dyshime se një pjesë e këtij sulmi mund të jetë e lodhur me aktivitete të sponsorizuara nga shteti, ashtu siç ndodhi edhe në sulmin e mëparshëm. Në shtator, kur Yahoo zbuloi rrjedhjen e të dhënave në vitin 2014, kompania tha se informacioni besohej të ishte vjedhur nga aktorë të sponsorizuar nga shteti, edhe pse nuk përcaktoi cili vend mund të ishte përgjegjësi. Kjo ndodhi ngre tashmë pikëpyetje të reja mbi blerjen e propozuar të kompanisë nga Verizon, për shumën e 4.8 miliardë dollarëve. Nuk dihet ende nëse kompania telefonike do të modifikojë apo do të tërheqë ofertën.

Nëse sulmi do të shkaktojë një valë reagimesh të përdoruesve ndaj Yahoo, shërbimet e kompanisë me gjasa nuk do të jenë më të vlefshme për Verizon. Këta të fundit do të vlerësojnë situatën dhe do të rishikojnë zhvillimet e reja përpara se të dalin në një konkluzion final. Vjedhja e të dhënave përbën një tjetër moment turpërues për një kompani që dikur renditej ndër emrat më të mëdhenj të internetit, pozitë që e ka humbur në rivalitetin me yje gjithnjë në rritje si Google apo Facebook. Gjatë bumit të saj, Yahoo përllogaritej të kishte një vlerë prej 125 miliardë dollarësh. Por që prej rënies, edhe përpjekjet e rikuperimit duket se kanë dështuar.

Pas publikimit të lajmit, aksionet e Yahoo ranë deri në 39.91 dollarë në tregun e gjerë, ndërkohë që aksionet e Verizon umbyllën në kuotën e 51.63 dollarëve.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
A e dini se të hani sekrecionet e hundës është e shëndetshme?

Close