PS:Deklaratat e Berishës në shkolla, propagandë politike - Vendi

PS:Deklaratat e Berishës në shkolla, propagandë politike

PS:Deklaratat e Berishës në shkolla, propagandë politike

Kryesia e PS-së ka reaguar sot në lidhje me deklaratat e kryeministrit gjatë inagurimit të shkollave në zona të ndryshme të vendit. Në një deklaratë për mediat, kryesia e PS-së thekson se deklaratat e kryeministrit para nxënësve është propagandë e pastër politike dhe një shfaqje e pashembullt dhe e paimagjinueshme për çdo vend europian.

“Pamja e të miturve të vënë në rresht për të shërbyer si dekor për propagandën e shthurur të kryeministrit nuk ka sesi të mos revoltojë e të mos turpërojë çdo qytetar të këtij vendi. Është e vështirë të gjesh fjalët për të përshkruar indinjatën që ndjen çdo qytetar e çdo prind kur sheh pamjet e këtij abuzimi të papranueshëm me të miturit nga vetë kreu i qeverisë” thekson PS-ja

Sipas kryesisë së PS-së kryeministri Berisha po shkel në mënyrën më të papranueshme pikat 4 dhe 8 të nenit 32 të ligjit për arsimin parauniversitar, të miratuar me konsensus jo më larg se qershori këtij viti, sipas të cilave arsimi parauniveritar jo vetëm është i depolitizuar, por ndalohet, në mënyrë eksplicite dhe kategorike, organizimi në këto institucione i veprimtarive partiake.

"Por rrënjët e zemërimit që ndjejnë, sot, qytetarët shqiptarë janë shumë më të thella se çdo ligj apo kod i këtij vendi, sepse kryeministri po abuzon e po dhunon në mënyrën më perverse ata që çdo shoqëri e çdo familje jo thjesht në Shqipëri, por në botën mbarë, i ka të shenjtë e të paprekshëm: Fëmijët. Jemi të bindur se prindërit shqiptarë e lexojnë fare qartë këtë sjellje të Sali Berishës për atë që është: shprehje e dëshpërimit dhe mjerimit moral të këtij njeriu dhe të pushtetit të tij të kalbur. Pamja rrëqethëse e Sali Berishës teksa çirret e ulëret përpara të miturve të mbajtur në rresht mes diellit e vapës nga tabore truprojash e militantësh të pushtetit me dhunë, i ka sjellë ndërmend çdo prindi e qytetari shqiptar imazhet e regjimit të cilit Sali Berisha i shërbeu për plot 22 vjet si sekretar partie” thekson më tej PS-ja.

Më tej në deklaratën për shtyp, Partia Socialiste thekson se e ka denoncuar këtë sjellje të kryeministrit edhe pranë partnerëve ndërkombëtarë dhe pranë organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke u bashkangjitur edhe dosjet e plota të filmimeve, transkripteve e përkthimeve të deklaratave të kryeministrit Berisha.

“Sot u kujtojmë të gjithë atyre zyrtarëve të shtetit shqiptar, drejtorëve të shkollave, kryekomunarëve, kryebashkiakëve, drejtorëve të drejtorive arsimore dhe drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, por edhe vetë mësuesve, si nëpunës të këtij shteti që kanë për detyrë mbrojtjen e fëmijëve, se duke kontribuar në organizimin e këtyre abuzimeve janë duke shkelur në mënyrën më flagrante e më të rëndë ligjet e këtij shteti, duke marrë mbi vete përgjegjësi të rëndë ligjore dhe zemërimin e një shoqërie të tërë që sheh e traumatizuar sesi shkollat po shndërrohen nga institucione pedagogjike në arenën e një abuzimi pervers me pjesën më të pafajshme e më të pambrojtur të kësaj shoqërie” thuhet më tej në deklaratë.

Në fund të deklaratës së saj, PS-ja i ka bërë thirrje të gjithë prindërve, si edhe nëpunësve të shtetit, mësuesve dhe drejtuesve lokalë, të distancohen nga këto akte të cilas janë të papërgjegjshme dhe të protestojnë në mënyrë civile ndaj kësaj pedofilie politike të Sali Berishës.

EMISIONET