Ronaldo: I lumtur me fitoren por i zhgënjyer për eliminimin e Manchester
Sport - 06/03/2013 12:17

Kristiano Ronaldo ka përjetuar një nga netët më të veçanta të karrierës së tij, pasi është pritur si “hero” nga publiku i Mançester United, por është larguar si “anti-heroi” pasi goli i tij i dha kualifikimin Real Madrid në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve. Vetë futbollisti ka pranuar se kjo ka qenë një natë shumë emocionuese për të, një nga të rrallat kur publiku e ka vënë në vështirësi.

“Unë bëra punën time duke ndihmuar Real Madrid të fitonte dhe jam i lumtur për këtë. Por kjo është një ndjenjë shumë e çuditshme. Ishte ndjesia sikur dëshiroja të bëja diçka por nuk isha në gjendje ta bëja atë”, tha Ronaldo pas ndeshjes.

“Unë kam luajtur për shumë vite me Mançester Junajtid dhe nëse ndonjë ditë do të jem rival i Real Madrid, mendoj se de të jetë e njëjta gjë. Ishte diçka e veçantë për mua kjo pritje pozitive, pasi po kthehesha në shtëpi, gjë të cilën e prisja në një farë mënyre. Brenda meje jam i lumtur, por edhe i mërzitur për Mançester Junajtid”, tha lojtari që përsëri nuk festoi golin e shënuar kundër ish-skuadrës së tij.

“Nuk festova në shenjë respekti për ata që më kanë trajtuar mirë këtu, por ajo që dëshiroja më shumë ishte të fitoja dhe të mbaja Real Madrid në garë për kupën e 10-të”, përfundoi ylli i futbolli portugez.