Milan në Madrid për të blerë lojtarë te Reali
15/05/2013, 14:29
Përditesuar: 15/05/2013, 14:29

Pas Juventusit, edhe Milan po mundohet gjithnjë e më shumë që të bëjë merkato në Spanjë dhe konkretisht te skuadra e Real Madrid, në mënyrë që të kthehet sërish në majat e futbollit europian.

Duke shfrytëzuar klanet që janë ndërtuar në kampin e kryeqytetasve madrilenë mes teknikut Mourinjo dhe spanjollëve të skuadrës, dy klubet italiane po përgatisin ofertat rreth lojtarëve që i shohin si përforcime të mundshme në skuadrat e tyre.

Sipas asaj që shkruajnë dy mediat e mirnjohura Italiane “Corriere dello Sport” dhe “TuttoSport”, në interesin e klubit kuqezi ka përfunduar nga një lojtar për çdo repart. Në portë ka spikatur me pritjet e tij portieri Diego Lopez i cili shihet si një mundësi e mirë për të zënë vendin e Abiatit. Në mbrojtje spikat Pepe, i cili këtë vit ka qëndruar më shumë në pankinë se sa ka luajtur.

Qendërmbrojtësi portugez është i pakënaqur me hapsirat në skuadër dhe një ndryshim ambienti do të bënte që ai të rikthehet përsëri në formën e mëparshme.

Në mesfushë kuqezinjtë janë të interesuar për mesfushorin Kroat, Luka Modriç. Ky i fundit ishte blerja më e madhe e “Galaktikëve” në merkaton e verës së kaluar por që nuk rezultoi e tillë edhe në tapetin e gjelbërt. Talenti Kroat që erdhi me shumë bujë në kryeqytetin spanjoll, nuk arriti të përshtatej asnjëherë me lojën e skuadrës duke ngrohur më shumë stolin sesa duke dhënë kontributin e tij në fushën e lojës.

Për sa i përket repartit të avancuar, drejtuesit e klubit të Djallit po mendojnë për argjentinasin, Angel Di Maria. Ky i fundit është një mesfushor me tipare sulmuese i cili mund të ndihmojë shumë lëvizjet e El Sharauit dhe Balotelit në repartin e sulmit. Që të katër këta lojtarë janë “besnikë” të Hose Mourinhos, dhe largimi i teknikut portugez mund të sjellë edhe largimin e të sipërpërmendurve.

Adriano Galliani ka takuar sot në Amsterdam, në vigjilje të finales së Europa League, mikun e tij, presidentin e “Los Blancos”, Florentino Perez, ku kanë folur edhe për këtë mega-operacion merkatoje që pritet të marri një përgjigje në muajt e ardhshëm.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento