RTV “Ora News” dhe IPR Marketing, sondazhe e Exit polls për zgjedhjet

RTV “Ora News” dhe IPR Marketing, sondazhe e Exit polls për

Sondazhet që parashikojnë rezultatin e zgjedhjeve, janë përdorur për herë të parë në vitin 1824 në SHBA, dhe për më shumë se një shekull janë pika e referimit për politikanët dhe qytetarët.

Edhe në Shqipëri në dhjetë vitet e fundit, media ka investuar në kontraktimin e kompanive të sondazheve me famë botërore, që gëzojnë besueshmëri dhe reputacion profesional të padiskutueshëm. Një prej tyre ishte dhe bashkëpunimi i “Ora News” me IPR marketing në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009, që ndryshe nga sondazhe të tjera rezultoi më afër të vërtetës dhe rezultatit të shpallur zyrtar, duke u vlerësuar si një sukses i plotë.

Drejtori i IPR Marketing, Antonio Notto, i zgjedhur nga Presidenti i “Ora News”, Ylli Ndroqi, për të matur preferencat politike të opinionit publik në Shqipëri, është një emër i njohur i sondazheve në Italinë fqinje dhe një frekuentues i rregullt i studiove televizive të kanaleve prestigjoze italiane. Edhe në itali, IPR Marketing, arriti të parashikonte më afër nga të gjithë konkurrentët e tjerë rezultatin surprizë të zgjedhjeve politike me efektin Grillo.

Nisur nga përgjegjshmëria përpara qytetarëve shqiptarë dhe ambicja për tju përgjigjur interesave të audiencës si dhe bazuar në parimin e integritetit dhe besueshmërisë, bordi drejtues i “Ora News”, diskutoi gjatë mbi mundësinë e pajtimit të sondazheve për zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, duke marrë në konsideratë edhe situatën politike të polarizuar.

Elementet kyç të debatit mes analistëve të “Ora News”, ishte fakti i mungesës së kulturës së sondazheve në Shqipëri dhe besimit që kanë qyetarët për të shprehur realisht mendimet e tyre, presioni i mundshëm për të mos deklaruar votën e vërtetë, refuzimi për tu përgjigjur që sa më i lartë aq më shumë shton rrezikun e vërtetësisë së sondazhit dhe sfidat e kampionimit. Të gjitha këtyre pikëpyetjeve, Drejtori Notto u dha garanci se do të sigurojnë një rezultat të besueshëm dhe se i vetmi moment vendimtar për të filluar sondazhet ishte shpallja zyrtare e koalicioneve.

“Ora News” është i vetmi televizion që ka nënshkruar tashmë një kontratë bashkëpunimi me IPR marketing, për të zhvilluar 4 sondazhe në muajin Maj dhe Qershor dhe 4 exit poll rajonale dhe një exit poll kombëtar në ditën e votimit, në 23 Qershor.

Sondazhi i parë që do të tregojë preferencat e shqiptarëve për partitë politike në garën e zgjedhjeve të 23 Qershorit, do të publikohet në fillim të Majit në emisionin politik të “Ora News” “Tonight Ilva Tare”, me praninë e drejtorit të IPR marketing Antonio Notto dhe shpjegimet e detajuara të votës së pritshme të shqiptarëve.

Kurioziteti është në maksimum, lufta politike është ashpërsuar në kulm, ndaj ju të nderuar teleshikues duhet të sintonizoheni në “Ora News” për të kuptuar se ku po shkon tendenca elektorale.

 

EMISIONET