Streep sulmon Trump- Fjalimi i aktores në Golden Globes, tone therëse ndaj presidentit
09/01/2017 - 15:23

Aktorja e mirënjohur Meryl Streep ka zgjedhur që në fjalimin e saj në Golden Globes, të sulmojë presidentin e zgjedhur Donald Trump për sjelljet e tij të pahijshme. Streep shprehu zhgënjimin e saj lidhur me një incident të Trump gjatë fushatës së tij presidenciale, ku republikani përqeshi një gazetar me aftësi të kufizuara. Për këtë, aktorja kërkoi që Hollivudi të jetë i bashkuar dhe të mbështesë gazetarët dhe lirinë e shtypit, ndërkohë që nuk munguan tonet shpotitëse edhe ndaj politikave të ashpra të Trump ndaj emigracionit.

Aktorja Meryl Streep e ktheu fjalimin e saj të pranimit të çmimit Arritjet në Jetë në ceremoninë e Golden Globes, në një sulm të ashpër ndaj presidentit të zgjedhur Donald Trump, duke thënë se ajo ishte zemërthyer nga imitimi që republikani i bëri një gazetari me aftësi të kufizuara gjatë fushatës së tij. Fituesja e trefishtë e Oscar, i referohej një incidenti të ndodhur gjatë një tubimi në Karolinën Jugore në 2015, kur Trump imitoi gazetarin e New York Times Serge Kovaleski, i cili ka një paaftësi fizike, akt të cilin republikani më pas mohoi ta kishte kryer.

“Kishte një performancë këtë vit që më habiti. Nguli grepa në zemrën time. Dhe jo sepse ishte e mirë. Ishte momenti kur një person që kërkon të ulet në karrigen më të respektuar të vendit tonë, imitoi një gazetar me aftësi të kufizuara, dikë të cilin ai e mposhtte në privilegje, fuqi dhe kapacitet për të kundërluftuar. Më theu zemrën kur e pashë dhe ende nuk mund ta harroj sepse nuk ishte në një film. Ishte në jetën e vërtetë. Dhe ky instikt për të poshtëruar, kur reklamohet nga dikush në platformën publike, nga një person i fuqishëm, filtrohet në jetën e kujtdo, sepse i jep leje njerëzve të bëjnë të njëjtën gjë. Mosrespektimi fton mosrespektim. Dhuna nxit dhunë. Kur të fuqishmit e përdorin pozicionin e tyre për të tallur të tjerët, të gjithë humbasim.”

Edhe pse aktorja nuk përdori aspak emrin e Trump gjatë fjalimit të saj, referencat ishin mëse të qarta, pasi Streep gjithashtu kritikoi edhe të tjera sjellje dhe politika të presidentit të zgjedhur, ndërkohë që i kërkoi Hollivudit të qëndronin të fortë dhe të mbështesnin median e lirë. Streep nuk ngurroi gjithashtu të përmendte se Hollivudi është një nga platformat më të populluara me të huaj, kundër të cilëve Trump ka marrë një qëndrim tejet të ashpër gjatë fushatës së tij.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Vlorë, mbytet në kanal 57 vjeçari

Close