Golden Globes, Momentet më kulminante nga ceremonia e ndarjes së çmimeve
09/01/2017 - 15:52

Aktorët britanikë ishin më të vlerësuarit në ceremoninë e çmimeve Golden Globes,  të cilat vlerësojnë brilancën kinematografike, për filma amerikanë dhe  të huaj. Filmi “La La Land” është konfirmuar si filmi i vitit me plot 7 çmime të fituara, ndërkohë që Emma Stone e Ryan Gosling  triumfuan në kategorinë e aktorëve më të mirë. Të tjerë aktorë të vlerësuar me çmime ishin edhe Meryl Streep, Casey Affleck, Isabelle Huppert etj. Edicioni i 74 i Golden Globes u prezantua nga Jimmy Fallon.

Aktorët britanikë kanë shijuar një natë të artë në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Golden Globes, që vlerëson brilancën kinematografike, për filma amerikanë dhe të huaj. Ceremonia e përvitshme formale dhe darka ku prezantohen çmimet, janë një pjesë e madhe e sezonit të industrisë së filmit, që kulmon çdo vit me ndarjen e çmimeve Academy Awards. Edicioni i 74 i Golden Globes, që nderoi filmat më të mirë të 2016, u transmetua live në 8 janar, me prezantues, personalitetin shumë të dashur televiziv, Jimmy Fallon.

“La La Land” është konfirmuar si filmi i vitit dhe ishte produksioni që dominoi edhe çmimet Golden Globes me plot 7 kandidime dhe 7 trofe të fituar, ku përfshihet edhe Komedia më e Mirë, Skenografia më e Mirë, Kolona më e Mirë Zanore etj. Nuk mund të mbeteshin pa u vlerësuar edhe aktorët protagonistë të këtij filmi, Emma Stone dhe Ryan Gosling, të cilët rrëmbyen respektivisht çmimin e aktores dhe aktorit më të mirë në një komedi apo muzikal.

Ryan Gosling: “Nuk është hera e parë që më ngatërrojnë me Ryan Reynolds, por po del jashtë kontrollit…. Do të doja të falenderoja siç duhet një person dhe të them se teksa unë kërceja, këndoja, luaja në piano dhe përjetoja një nga eksperiencat më të bukura të jetës time, bashkëshortja ime rriste vajzën tonë, shtatzënë me fëmijën tonë të dytë, dhe ndihmonte vëllain e saj në luftën kudër kancerit. Nëse ajo nuk do të kishte përballuar të gjitha këto, që unë të kisha këtë eksperiencë, me siguri dikush tjetër do të ishte në vendin tim sot, këtu. E dashur, faleminderit.”

Emma Stone: “Ky është një film për ëndërrimtarët, dhe mendoj se shpresa dhe kreativiteti janë dy nga gjërat më të rëndësishme në botë, dhe për këtë flet edhe filmi. Për çdo person kreativ, të cilit i është mbyllur dera, metaforikisht ose fizikisht, ose aktorëve të cilëve i është ndërprerë audicioni ose kanë pritur një telefonatë që nuk erdhi kurrë, që ka dashur të heqë dorë por ka gjetur arsye të ecë përpara, e ndaj këtë çmim me ju. Faleminderit shumë për këtë.”

Thrilleri psikologjik “Elle”, me aktore protagoniste Isabelle Huppert dhe me regji të Paul Verhoeven, arriti të mposhtë filma si “Divines”, “Neruda” apo “The Salesman”, duke rrëmbyer çmimin për Filmin e Huaj më të Mirë, ndërkohë që protagonistja Huppert fitoi çmimin e Aktores më të Mirë në një Dramë.

Paul Verhoeven: “Ishte një eksperiencë fantastike bashkëpunimi me Isabelle. Ajo është kaq e talentuar. Të falenderoj për çdo gjë që i ke dhënë këtij filmi, për talentin tënd, guximin, autenticitetin e performancës. Ishte e mrekullueshme të punoja me ty. Je fantastike dhe të dua. Shumë faleminderit.”

Protagonistja ishte tepër e emocionuar gjatë fjalimit të saj, ku ajo falenderoi të gjithë ata që punuan për këtë film dhe të gjithë ata që mbështesin aktorë të rinj nga e gjithë bota. “Mos prisni që kinemaja të vendosë barriera dhe kufinj”, u shpreh aktorja 63-vjeçare nga Franca.

Ylli i “Manchester by the sea”, Casey Affleck triumfoi në kategorinë e Aktorit më të Mirë në një Drama, duke mposhtur emra të njohur si Denzel Washington apo Andrew Garfield.

Casey Affleck: “Nuk ka çmim që t’i përkasë vetëm një aktori. Do të doja që Michelle të ishte në skenë me mua sepse ajo bëri shumicën e punës. Ajo është perfekte. Dhe faleminderit Amazon, Jeff Bezos. Shumë faleminderit. Ishit një mbështetje e madhe.”

Aaron Taylor Johnson u nderua me çmimin e aktorit më të mirë në një rol dytësor për filmin “Nocturnal Animals”.

Aaron”: “Uau. Çfarë nderi i madh. Faleminderit që e njohët këtë rol. Faleminderit Tom Ford për këtë mundësi. Faleminderit bashkëshortes time për mbështetjen dhe faleminderit që më ke duruar. Krisht, nuk isha shumë i këndshëm në këtë rol.”

Ndërkohë aktorja Viola Davis u nderua me çmimin e aktores më të mirë në një rol dytësor.

Viola Davis: “Ky është nominimi im i pestë. I bëra të gjitha fotot, shkova tek dreka, por është tamam në kohë. Jo çdo ditë Hollivudi mendon të përkthejë një pjesë në film. Nuk thërret fitimprurës, por thërret art. Thërret zemër.”

Aktori angelz Tom Hiddleston, i cili rrëmbeu çmimin e aktorit më të mirë në një serial televiziv, ia kushtoi fitoren e tij njerëzve të cilët punojnë për ta bërë botën një vend më të mirë.

Hiddleston: “Një grup i mjekëve pa kufinj, doktorë dhe infermiere, donin të përshëndesnin, pasi muajin e kaluar ata kanë parë ‘The Night Manager’ dhe ideja që ne kemi siguruar pak argëtim për personat që punojnë për UNICEF dhe programe botërore që rregullojnë hapësirat e prishura të botës, më bëri shumë krenar. Ja dedikoj këtë personave të ciëlt po bëjnë më të mirën. Faleminderit.”

Ndërkohë, aktori britanik Hugh Laurie, i cili u shpall aktori më i mirë në një rol dytësor për miniserialin The Night Manager, nuk ngurroi të ironizonte presidentin e zgjedhur Donald Trump.

Laurie: “Faleminderit, fillimisht Shoqatës së Shtypit të Huaj të Hollivudit për këtë nder. Mendoj se bëhet edhe më fantastike nga fakti se mund të them që fitova Golden Globes-at e fundit. Nuk dua të jem i zymtë. Vetëm se fjalët ‘Hollivud’, ‘i huaj’ dhe ‘media’ janë në titull. Dhe gjithashtu mendoj se për disa republikanët, fjala ‘shoqatë’ është disi famëkeqe.”

Laurie nuk ishte i vetmi që ironizoi me Trump, pasi edhe aktorja e mirënjohur Meryl Streep, e cila fitoi çmimin për kontributin e dhënë në fushën e kinematografisë me arritjet e saj, thumboi presidentin e zgjedhur Donald Trump.

Meryl Streep: “Kishte një performancë këtë vit që më habiti. Nguli grepa në zemrën time. Dhe jo sepse ishte e mirë. Ishte momenti kur një person që kërkon të ulet në karrigen më të respektuar të vendit tonë, imitoi një gazetar me aftësi të kufizuara, dikë të cilin ai e mposhte në privilegje, fuqi dhe kapacitet për të kundërluftuar. Më theu zemrën kur e pashë dhe ende nuk mund ta harroj sepse nuk ishte në një film. Ishte në jetën e vërtetë. Dhe ky instikt për të poshtëruar, kur reklamohet nga dikush në platformën publike, nga një person i fuqishëm, filtrohet në jetën e kujtdo, sepse i jep leje njerëzve të bëjnë të njëjtën gjë. Mosrespektimi fton mosrespektim. Dhuna nxit dhunë. Kur të fuqishmit e përdorin pozicionin e tyre për të tallur të tjerët, të gjithë humbasim.”

Një surprizë e këndshme ishte edhe paraqitja e Brad Pitt në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku aktori tërësisht i transformuar nga ajo çfarë kishim parë në muajt e fundit, bëri që salla të ngrihej në këmbë me duartrokitje të vazhdueshme.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Bashkia e Tiranës monitoron cilësinë e ajrit, ulet ndotja me 10% nga java e kaluar

Close