George Lucas, shtëpia e muzeut 1 miliard dollarë
11/01/2017 - 15:16 Nga: Xhoi Zajmi

Krijuesi i filmave të “Star Wars”, George Lucas, ka vendosur që Los Angeles të jetë shtëpia e muzeut të tij 1 miliard dollarësh me historinë e sagës së famshme, pasi vitin e kaluar ai vendosi të tërhiqej nga ideja e ndërtimit të këtij muzeu në Chicago.

Kryebashkiaku i Long Angeles, Eric Garcetti tha se Muzeu i Lucas i Arteve Treguese do të vendoset në Parkun e Ekspozitave në qendër të qytetit.

“Besoja në vizionin e Muzeut Lucas dhe e ndoqëm me shumë vëmendje sepse e di që Los Angeles është vendi ideal ku muzeu do të prekë audiencën më të madhe të mundshme,” u shpreh kryebashkiaku në një deklaratë, ku ai gjithashtu falënderoi regjisorin Lucas dhe bashkëshorten e tij, Mellody Hobson.

Muzeu fillimisht u planifikua të ndërtohej në Chicago, por Lucas u përball atje me sfida ligjore nga një grup i hapësirave të lira, gjë që bëri që ai të tërhiqej nga ky plan. Garcetti menjëherë u përpoq të bënte për vete Lucas, që muzeu të realizohej në Los Angeles.

Me një vlerë prej 1 miliard dollarësh dhe i financuar nga vetë krijuesi i “Star Wars”, muzeu do të përmbajë ekspozita të koleksionit të pikturave të Lucas, ilustrimeve dhe artit dixhital nga saga shumë e famshme dhe shumë e suksesshme e filmave, që 72-vjeçari krijoi më 1977.

Të ekspozuara do të jenë edhe sende me vlerë nga filma klasikë si Magjistari i Ozit apo Casablanca. Përveç sendeve nga Star Wars, si maska e Darth Vader, muzeu gjithashtu përmban punime nga artistë si Norman Rockwell, Edgar Degas, Winslow Homer dhe Pierre-Auguste Renoir.

Edhe Treasure Island në Gjirin e San Franciscos, kishte ofruar të ishte vendi ku muzeu futuristik do të ndërtohej. Rivaliteti me qytetin e Los Angeles, nuk ishte vetëm një garë se kush do të ekspozonte artin e Lucas, por ishte gjithashtu një përballje se cili nga të dy qytetet do të përfitonte edhe nga bumi në turizëm dhe mijëra vendet e punës që ky projekt do të krijojë. Dhjetëra mijëra punë mendohet se do të hapen vetëm në ndërtimin e muzeut me një hapësirë të përllogaritur rreth 25.000 metra katrorë.

Vendi i propozuar për këtë projekt është pranë Universitetit të Kalifornisë Jugore, ku Lucas studio kinematografi dhe u takua edhe më bashkëpunëtorë të mëvonshëm, përfshi këtu edhe Steven Spielberg. Në 2012, Lucas shiti ekskluzivitetin e sagës Star Wars kompanisë Walt Disney, për vlerën e majme të 4 miliardë dollarëve.

Disney i dha rifillimin serisë me plot 6 filma të rinj, duke përfshirë edhe trilogjinë e re në sagën hapësinore që filloi me publikimin e 2015 “The Force Awakens”, si dhe histori të pavarura, siç ishte edhe “Rogue One: A Star Wars Story”, që doli në kinema në dhjetorin e vitit të kaluar.

/Ora News/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Shqipëria, i vetmi vend që përfshin në TVSH edhe biznesin e vogël

Close